Arbëri

Zyrtarët policorë në Ferizaj me trajnime profesionale për komunikim me media

Policia Rajonale e Ferizajt, gjatë vitit që shkoi është përballur me një varg sfidash në fushën e komunikimit publik, derisa për çdo ngjarje në terren ka pranuar qindra telefonata e kërkesa nga gazetarë të media të ndryshme. Për menaxhimin e situatave të tilla, zyrtarët policorë kanë nisur të marrin trajnime profesionale duke i ndjekur praktikat ndërkombëtare

Policia Rajonale e Ferizajt, si një prej sfidave të vitit që shkoi, e ka vlerësuar edhe komunikimin me media.

Zyra për informim e Policisë në këtë regjion ka vazhduar të përballet me kërkesa të shumta për qasje në dokumente zyrtare, por interesimi i madh i mediave për informata të ndryshme, sipas zëdhënësit Kanun Veseli, ishte diçka e re. Sipas tij, zyrtarët policorë kanë nisur të marrin trajnime profesionale lidhur me këtë fushë, duke i ndjekur praktikat ndërkombëtare.

“Sfidë e Policisë në Rajonin e Ferizajt dhe zyrës së informimit është zgjerimi i rrjeteve sociale dhe portaleve të ndryshme nga qe janë shtuar kërkesat e tyre. Tani më kemi në çdo qytet të rajonit kërkesa të shumta nga këto portale, kjo ka qenë një sfidë. Ne po mbajmë edhe trajnime të ndryshme duke ndjekur praktikat ndërkombëtare, sepse tanimë është një risi që po ndodh në Kosovë dhe në rajonin”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se gjatë vitit 2022, Zyra për informim, ka pranuar mbi 600 telefonata nga gazetarët për ngjarje të ndryshme, pastaj ka lëshuar rreth 320 konfirmime me shkrim për media dhe ka trajtuar mbi 50 lëndë për qasje në dokumente publike nga shoqëria civile.

“Janë postuar dhe lëshuar 394 komunikata të ndryshme të aktiviteteve të Policisë për dallim nga viti paraprak 2021 që kanë qenë 300 komunikata apo një rritje prej 30 për qind. Njëkohësisht kemi pasur edhe 120 prononcime televizive për ngjarje dhe aktivitete të Policisë”, ka shtuar tutje Veseli

Në Kuvendin e të rinjve në Ferizaj e vlerësojnë bashkëpunimin me Policinë.

“I kemi pasur katër projekte së bashku me Policinë Rajonale të Ferizajt në vitin e kaluar, kështu që sa u përket kërkesave për qasje në dokumente publike ne nuk kemi hasur në ndonjë pengesë. Janë kthyer përgjigjet brenda afateve ligjore, mirëpo nuk po them që nuk ka ndonjë pengesë në ndonjë akter tjetër, por ne si shoqëri civile nuk kemi hasur në pengesa”, ka thënë Lorik Krasniqi nga Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt.

Sipas Policisë së Kosovës, Zyra për informim do të vazhdojë jetë e hapur për media në çdo kohë e rrethanë.