Në zyrat rajonale të pensioneve, ku drejtohen çdo ditë përfitues të skemave pensionale, mungon infrastruktura për qasjen e personave me aftësi të kufizuara. Një qytetar nga Mitrovica, që paditi Ministrinë e Financave në vitin 2018, e fitoi rastin. Gjykata urdhëroi kompensimin dhe konstatoi se ai u diskriminua, duke mos ia ofruar kushtet bazë për të hyrë në zyrat e pensioneve. Ministria e Financave ka realizuar investime në Mitrovicë, por në këtë institucion nuk treguan se si do të veprojnë në komunat e tjera
Astrit Hasani pas tetë vjetësh e ka fituar padinë ndaj Ministrisë së Financave për diskriminimin që i është bërë, duke mos i ofruar kushte për qasje fizike në objektin e zyrave të pensionit në Mitrovicë.
Ai ka treguar se, tek vitin e kaluar, në këtë objekt është vendosur një pjerrinë që ia mundëson hyrjen me karrocë, por thotë se përsëri ka pengesa.
“Qasja u kanë tmerr. Edhe sot, në ditë të sotit, pjerrina për përdoruesit e karrocave është e paqasshme. Po duhet me na ndihmu dikush me hypë deri aty, po edhe objektin që e kanë ndreqë, nuk është prapë qysh duhet... I kanë qitë në katin e parë, por prapë nuk është e qasshme pa të ndihmu dikush”, ka thënë Hasani.
Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka detyruar Ministrinë e Financave, në kuadër të së cilës janë zyrat për pensione, që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet për eliminimin e diskriminimit, e edhe ta kompensojë Hasanin me 4 mijë e 500 euro.
Qendra e pensioneve në Mitrovicë nuk është e vetmja në të cilën mungon infrastruktura për qasjen e personave në karrocë.
Në hyrjen kryesore të objektit, ku ndodhen zyrat e pensioneve në kryeqytet, mungon pjerrina e brenda nuk ka ashensor për t’u ngjitur kateve. Ndërkaq, jashtë saj parkingjet janë që të gjitha të zëna.
Përfaqësues të Handikosit në Ferizaj kanë përshkruar probleme të njëjta të zyrës së pensioneve në këtë qytet.
“Qasja është jashtëzakonisht e vështirë për të gjitha kategoritë e të moshuarve dhe të personave me aftësi të kufizuara. Nuk ka qasje nga jashtë deri te hyrja përdhese. Ka mungesë të parkingut, ka mungesë të ashensorit. Është ndoshta prej institucioneve që më së shumti kanë nevojë personat me aftësi të kufizuara, megjithatë nuk është investuar në aspektin e qasjes”, ka deklaruar Enver Kosumi, drejtor i Handikosit në Ferizaj.
Edhe në shoqatën “Handikos” në Prizren, kanë folur për probleme të ngjashme.
E, në Forumin Kosovar për Aftësi të Kufizuara kanë thënë se situatë e njëjtë është edhe në shumicën e zyrave të vendosura gjithandej komunave të Kosovës.
“Shumica e zyrave regjionale të administratës pensionale të Kosovës nuk kanë qasje të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, dhe si rrjedhojë e kësaj shumica e komisioneve vlerësuese realizohen nëpër lokale të ndryshme sidomos te HANDIKOS-i lokal, sepse mungon qasja fizike për një person, që të ketë mundësi të marrë shërbimin e caktuar në këto zyra”, ka thënë Bujar Kadriu, drejtor i Forumit Kosovar për Aftësi të Kufizuar.
Vetëm në qendrën në Gjakovë kanë thënë se qasja është përmirësuar pas rinovimit të objektit.
Rinovimi i zyrave të pensionit ishte premtuar gjatë vitit të kaluar nga zyrtarë të Ministrisë së Financave gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut.
Në Ministri kanë thënë se investime janë bërë në Mitrovicë, por nuk kanë treguar se kur do të nisë rinovimi i 6 zyrave të tjera rajonale. Sipas këtij institucioni, i është dhënë prioritet edhe avancimit të kushteve të zyrave.
“MFPT-ja ka paraparë si prioritet edhe avancimin e kushteve të zyrave. Në objektin e Zyrës në Mitrovicë kemi realizuar investime, përveç tjerash me qëllim të përmirësimit të qasjes dhe ofrimit të shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara. Sa i përket zyrës së pensioneve në Mitrovicë, ka përfunduar rregullimi dhe adaptimi i të gjitha hapësirave të zyrës së pensioneve, në përputhje me kushtet dhe standardet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.
Në zyrat e pensioneve, qytetarët drejtohen për të aplikuar apo përfituar nga pensioni bazik i moshës, ai kontributpagues, i aftësisë së kufizuar, invalidor i punës dhe ai i parakohshëm, si dhe për pension të paaftësisë së përhershme. Krahas kësaj, obligohen çdo gjashtë muaj të paraqiten në zyrë për ta konfirmuar se jetojnë në Kosovë.