Arbëri

Zvarritet riasfaltimi i rrugës regjionale Shtime-Lipjan, në drejtim të Prishtinës

Që nga viti i kaluar po zvarritet projekti për riasfaltimin e rrugës regjionale Shtime-Lipjan, në drejtim të Prishtinës. Ky projekt ka qenë temë debati disa herë edhe në mbledhjet e Kuvendit Komunal në Lipjan, derisa kuvendarët kanë kërkuar llogaridhënie nga komuna dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në mënyrë që të marrin masa për vazhdimin e punimeve.

Kritika ndaj nivelit qendror për mos vazhdim të punimeve ka pasur edhe nga kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili ka njoftuar se Komuna nuk ka kompetencë ta rindërtojë këtë aks rrugor, megjithëse një gjë të tillë do ta bënte për ta lehtësuar qarkullimin e qytetarëve të saj.

“Është kompetencë komplet e nivelit qendror, andaj si komunë kemi bërë kërkesa për vazhdimin e punimeve, por deri më tash nuk ka lëvizur asgjë konkrete”, pati thënë midis të tjerash Ahmeti, duke iu përgjigjur pyetjeve të kuvendarëve.

Shefi i grupit të kuvendarëve nga radhët e PDK-së në Lipjan, Arsim Jashari, ka thënë se është mirë që institucionet lokale dhe ato qendrore të angazhohen për realizimin e këtij projekti derisa bëhet fjalë për interes të qytetarëve.

“Ajo rrugë pas nisjes së punimeve për riasfaltim është degraduar edhe më shumë dhe nga ajo periudhë kohore ka mbetur pa u riasfaltuar. Është shumë shqetësuese për të gjithë qytetarët të nis një projekt, pastaj të largohet pjesa e asfaltit të vjetër dhe mos të riasfaltohet më. Kjo po shkakton vështirësi dhe rrezikshmëri për të gjithë qytetarët në komunikacion, andaj kërkojmë nga institucionet lokale dhe ato qendrore të angazhohen në këtë drejtim sepse është projekt i domosdoshëm”, ka thënë Jashari.

Edhe qytetarët dhe vozitësit janë ankuar rreth zvarritjes së këtij projekti. Bashkim Avdyli, pronar i një kompanie të udhëtarëve ka thënë se gjatë ditës 3 apo 4 herë qarkullojnë mbi këtë rrugë e cila sipas tij është e degraduar.

“Më shumë është degraduar pas fillimit të punimeve se sa ishte në të kaluarën. Tash jemi në hall si vozitës sepse po dëmtohen edhe gomat dhe automjetet transportuese të udhëtarëve, prandaj kërkojmë të riasfaltohet sa më shpejtë ky aks rrugor”, është ankuar ai.

Në anën tjetër, ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Kohës lidhur me këtë çështje.