Që nga fillimi i pandemisë, dhjetëra debate publike kanë dështuar në Komunën e Shtimes.
Si pasojë e kësaj është zvarritur edhe hartimi i dokumentit për Planin Zhvillimor Komunal, i cili për tetë vjetët e ardhshme parasheh zhvillimin e qytetit, dhe infrastrukturës, si dhe ndërtimet e institucioneve publike.
Zyrtarët komunalë në Shtime kërkojnë nga qytetarët që t’u përgjigjen kërkesave të tyre për pjesëmarrje në debate publike, për të dhënë vërejtje dhe sugjerime lidhur me këtë dokument.
Drejtoresha për Urbanizëm në Komunën e Shtimes, Shqipe Rexhaj, ka thënë se ky dokument është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit.
“Pandemia ka ndikuar si në çdo projekt tjetër edhe te Plani Zhvillimor Komunal, sepse kemi pasur shumë probleme me debate publike në të cilat pjesëmarrja ka qenë shumë e vogël; në mënyrë elektronike nuk kemi pasur ankesa dhe kërkesa nga qytetarët, ndërkohë qytetarët nuk janë kyçur nëpër rrjete online, sepse kanë pasur probleme, apo nuk kanë pasur informim se si përdoren këto rrjete për takime”, ka thënë Rexhaj.
Monitoruesi nga Qendra Rinore “Akademia”, Resul Gashi, ka deklaruar se gjatë muajve të fundit kanë kërkuar vazhdimisht nga qytetarët që të marrin pjesë në dëgjime publike rreth Planit Zhvillimor Komunal, i cili zgjidh konteste dhe problemet pronësore të lokaliteteve të tyre.
“Unë e ftoj edhe Komunën e Shtimes që të hartojë politika ose metoda më të suksesshme dhe më produktive, që i nxisin qytetarët të marrin pjesë në dëgjime publike fillimisht, pastaj edhe qytetarët ta rrisin vetëdijen e tyre për pjesëmarrje në këto dëgjime publike dhe padyshim se me pjesëmarrjen e tyre është shumë më efektive dhe më efikase çdo punë dhe çdo diskutim që bëhet”, ka deklaruar Gashi.
Në Komunë shpresojnë që ky draft-dokument të finalizohet në muajin shkurt të 2021-s dhe të dalë para kuvendarëve për plotësim dhe ndryshim.