Arbëri

Zvarritet prej muajsh zgjedhja e përfaqësuesve të fshatrave në Ferizaj

Po zvarritet për tash e disa muaj procesi për zgjedhjen e përfaqësuesve të fshatrave dhe lagjeve urbane në Komunën e Ferizajt.

Sipas një rregulloreje të Komunës, zgjedhjet për përfaqësues të fshatrave lidhen me mandatin e kryetarit të komunës dhe se si pasojë e vonesës përfaqësuesit në detyrë të fshatrave po obligohen që t’i vazhdojnë aktivitetet pa mandat legjitim.

Sadik Qerimi, përfaqësues në detyrë i fshatit Koshare, thotë se ka adresuar kërkesa në komunë për jetësimin e projekteve të ndryshme, ani se mandati i ka skaduar.

“Për kryetar legjitim është shumë e nevojshme, jo vetëm për komunitetin por edhe për Kuvendin Komunal, sepse shumë kërkesa që banorët e kanë vështirë t’i paraqesin në drejtoritë e caktuara, si bujqësi, infrastrukturë etj., kështu që është shumë e nevojshme që sa më shpejt të jetë përfaqësuesi i fshatit legjitim”, ka thënë Qerimi.

E Ibrahim Latifi, përfaqësuesi i fshatit Pojatë, thekson se në mungesë të mandatit nuk po arrin që kërkesat e shpeshta të banorëve t’i çojë në adresë të Komunës.

“Shpresoj që të mos zgjatet ky proces, sepse çdo ditë kemi ankesa dhe kërkesa të ndryshme nga banorët e fshatrave tona dhe ne nuk jemi persona kompetentë tashmë që t’i dorëzojmë këto kërkesa në Komunën e Ferizajt”, u shpreh Latifi.

Selim Marevci, zëdhënës në Komunën e Ferizajt, bën të ditur se zvarritja e procesit po ndodh si pasojë e ndryshim-plotësimit të rregullores së re për zgjedhjen e përfaqësuesve të fshatrave dhe lagjeve urbane.

“Në këtë seancë të Kuvendit Komunal në Ferizaj do të paraqesim edhe ndryshim-plotësimin e rregullores ku do të marrë pjesë edhe shoqëria civile. Pas këtij plotësim-ndryshimi, do të fillojmë me procedura për zgjedhjen e kryetarëve të fshatrave normalisht, siç ka ndodhur edhe herëve të tjera”, pohoi Marevci.

Përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve urbane i adresojnë tek organet kompetente komunale kërkesat dhe ankesat e parashtruara nga banorët.

Në Komunën e Ferizajt janë 45 fshatra me rreth 110 mijë banorë.