Arbëri

Zvarritet implementimi i platformës “Ditari Digjital” në shkolla të Ferizajt

Shkaku i telasheve me trajnime të mësimdhënësve dhe shkaku i disa problemeve me rrjetin e internetit në shkollat e Ferizajt po zvarritet projekti “Ditari Digjital” i cili ishte planifikuar të nisë në shtator të këtij viti.

Në Komunën e Ferizajt kanë thënë se nga mesi i muajit dhjetor pritet të nisë si pilot-projekt vetëm në disa shkolla. Në këtë projekt parashihej që prindërit nëpërmjet telefonave të tyre të kenë qasje tek fëmijët e tyre duke e parë se a ka hyrë në objektin e shkollës, a është notuar, cilat janë vërejtjet e mësimdhënësve ndaj tyre dhe cilat janë rezultatet gjatë procesit mësimor.

Por zvarritja e këtij projekti ka nxitur reagimin e Këshillit të Prindërve në nivel Komunal, organizatës joqeveritare “Avonet” dhe vet prindërve të nxënësve.

Zejnepe Hysenaj, kryetare e këtij Këshilli, ka thënë se në fillim nuk ka qenë e informuar rreth kësaj platforme, por ndërkohë e ka kuptuar nëpërmjet mediave. Sipas saj, këtë platformë po e presin të gjithë prindërit derisa ka qenë premtim i komunës.

“E kam thënë edhe në të kaluarën se të gjithë do ta përkrahin këtë platformë nëse mund të realizohet, por ende nuk është realizuar megjithëse ka pasur premtime publike. Ne të gjithë jemi për ta mbështetur por zvarritja e kësaj platforme po paraqet shqetësime edhe për prindërit”, ka thënë Hyzenaj, duke kërkuar që kjo platformë të realizohej ashtu siç është premtuar nga Komuna dhe të jetë sa më e lehtë për përdorim nga ana e prindërve.

Kenan Gashi, drejtor në OJQ “Avonet”, ka thënë se Komuna e Ferizajt, pikërisht drejtoria e Arsimit duhet të krijojë kushte për mësimdhënësit në mënyrë që ata të trajnohen në këtë drejtim.

“Mësimdhënësit nuk mund të trajnohen derisa komuna nuk ofron kushte adekuate teknike dhe ekspert te fushës se teknologjisë. Pra, komuna duhet të ofrojë formularë dhe mënyra sa më të lehta për mësimdhënësit që të trajnohen dhe të kenë qasje sa më të lehtë në platformën digjitale. Po ashtu mënyra të lehta për qasje duhet të kenë edhe prindërit në mënyrë që përmes telefonave të tyre me një klikim të kenë qasje në këtë platformë”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër, Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se kjo platformë i është premtuar prindërve, por për shkak të problemeve teknike nuk kanë arritur ta finalizojnë në shtator.

“Po shpresojmë se si platformë do të nis kah mesi i dhjetorit si pilot projekt vetëm për disa shkolla, përfshirë edhe shkollën e mjekësisë. Do të trajnohen mësimdhënësit sepse një pjesë e tyre nuk kanë njohuri të mjaftueshme në teknologji. Kemi pasur telashe me internet, pastaj nuk e kemi në nivelin e duhur absorbimin e informacioneve. Sidoqoftë si projekt do të realizohet dhe secili prind do ta ketë qasje në këtë platformë”, ka thënë Llabjani.

Sipas tij, edhe drejtorët e shkollave do të ketë qasje të veçantë për të gjitha ato zhvillime që ndodhin në shkollë, për vijueshmërinë, për orarin mësimor , për këshillin drejtues, për vijueshmërinë e nxënësve për notimin e nxënësve, për plan-programet, për realizimin e tyre dhe gjithçka që është në kuadër të shkollës.

“Një qasje të veçantë do ta kenë edhe profesorët e secilës lëndë, derisa ata do të mund të kenë qasje për secilin nxënës. Kujdestarët e klasave do të kenë qasje me profesorët dhe me prindërit në mënyrë që ata të informohen për zhvillimet e ndryshme”, ka shtuar Llabjani.