Me gjithë premtimin e Qeverisë se së shpejti do të emërohen ambasadorët e rinj, pas shkarkimit të 12 prej tyre, Ministria e Punëve të Jashtme deri tani nuk e ka dërguar asnjë emër në Kuvend. Për shkak të procedurave që kërkohen nga propozimi e deri tek akreditimi i një ambasadori në vendin pritës, për njohësit e rrethanave Kosova mund të mbetet pa ambasadorë edhe për një kohë në mbi gjysmën e misioneve diplomatike
Më shumë se gjysma e misioneve diplomatike rrezikojnë të mbesin në nivel të ngarkuarish me punë pas fundit të gushtit, periudhë kjo kur duhet të kthehen edhe 12 ambasadorët e shkarkuar nga Qeveria aktuale. Edhe pse janë bërë më shumë se dy muaj, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka treguar nëse kanë nisur procedurat për emërimin e ambasadorëve. Pas nominimit të kandidatëve, proces që bëhet në koordinim mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zyrës së Kryeministrit, emrat dërgohen në Kuvend për intervistim para se të bëhet dekretimi nga presidentja.
“Dekretimi për lirim nga detyra i ambasadorëve të emëruar me çelës politik është bërë më 19 maj, menjëherë pas propozimit të MPJD-së. Jemi ende në proces të emërimit të ambasadorëve të rinj dhe procesi do të përmbyllet shumë shpejt. Secili emërim do të bëhet në përputhje me ligjin dhe sipas kritereve të përcaktuara në ligj lidhur me përqindjen e diplomatëve të karrierës”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë.
Ndërkaq anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, ka thënë se deri tash nuk u ka shkuar asnjë kandidat, e për këtë kritikon Qeverinë për zvarritje.
“Kjo është logjikë e keqe, është praktikë e keqe dhe është edhe një mesazh i keq që jepet ndaj vendeve mike, ku kanë qenë të akredituar ambasadorët dhe i bie mosrespektim ndaj atij vendi. Është mosinteresim edhe ndaj proceseve të tjera, sikurse është dialogu, anëtarësime, lobim për liberalizim të vizave dhe të tjera. Emrat duhet të sillen sa më shpejt, dhe kjo qasje është totalisht dështim i politikës së jashtme”, ka thënë Kadrijaj.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës më 19 maj liroi nga detyra 12 ambasadorët e emëruar me çelës politik nga qeveritë e kaluara. Disave prej tyre iu ndërpre mandati.
Të liruarit nga detyra janë: Beqë Cufaj, (Gjermani), Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedonia e Veriut), Hajdin Abazi (Australi), Ylber Hysa (Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe) e Amir Ahmeti (Katar).
Emir Abrashi nga instituti “Demokraci Plus” ka thënë se ulja e përfaqësimit tregon joseriozitetin e Qeverisë në raport me vendet pritëse.
“Këto janë procedura goxha të gjata dhe marrin kohë dhe ne aktualisht më 31 gusht do ta ulim nivelin e përfaqësimit në nivel të ngarkuarish me punë në mbi gjysmën e misioneve tona diplomatike nëpër botë. Kjo tregon joseriozitet dhe jopjekuri nga ana e Qeverisë së Kosovës për shkak se ulja e përfaqësimit në shtete bëhet në rastet kur qeveritë mund të kenë një kundërshtim ose një protestë ndaj Qeverisë pritëse”, ka thënë Abrashi. “Duhet ta kemi parasysh se tash po hyjmë në sezonin kur Kuvendi është në pushime dhe kjo procedurë do të zgjatet edhe më tej. Po ashtu duhet ta kemi parasysh se shtetet e kanë të drejtën edhe ta refuzojnë kandidatin dhe refuzimi jo gjithmonë ndodh në mënyrë eksplicite. Mund të ndodhë edhe refuzim në heshtje. Pra kjo mund ta zvarrisë punën e emërimit të ambasadorëve të rinj edhe për një periudhë të pacaktuar për shkak se e njëjta procedurë duhet të fillohet për kandidatët e tjerë. Pra ne rrezikojmë që këtë ta mbyllim pa disa ambasadorë në vendet kyç”.
Me shkarkimin e ambasadorëve të fundit, Kosova ka mbetur pa shefa në 17 ambasada nga 32 sa i ka gjithsej, përfshirë vende të rëndësishme. Qe tre vjet nuk ka ambasador në Londër e pa të kanë mbetur edhe në Washington, Bruksel, Berlin, Tokio, Abu Dabi e vendet e rajonit.
“Ani pse shumica prej tyre vazhdojnë të funksionojnë me të ngarkuar me punë, kemi rastin e Australisë e cila ka vetëm një staf diplomatik, dhe me tërheqjen e ambasadorit ajo ambasadë duhet të mbyllet dhe i tërë rajoni mbetet pa përfaqësim”, ka thënë Abrashi.
Qeveria pati premtuar se lirimi i ambasadorëve politikë do të jetë hapi i parë në reformën e domosdoshme në shërbimin e jashtëm, teksa numrin më të madh do ta përbëjnë ata të karrierës.