Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar nga ZRRE-ja zbatimin e vendimit të Supremes lidhur me daljen në treg të hapur të energjisë të rreth 1.300 bizneseve. Sipas kësaj organizate, kjo nënkupton kthimin në pikën zero të këtij procesi. Por në ZRRE thonë se vendimi i saj nuk është i bazuar në dispozitat e shfuqizuara
Vendimi i Gjykatës Supreme lidhur me padinë për daljen në treg të hapur të energjisë të rreth 1.300 bizneseve është interpretuar në mënyra të ndryshme nga Oda Ekonomike e Kosovës si paditëse dhe nga Zyra e Rregullatorit për Energji si e paditur.
Derisa në OEK kanë thënë se vendimi i Supremes e kthen në pikën zero procesin e daljes në treg të hapur të energjisë dhe kërkuan që të zbatohet aktgjykimi, në ZRRE kanë deklaruar të kundërtën.
“Oda Ekonomike do ta monitorojë nga afër implementimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ta kthejë gjendjen në pikën zero, sepse e ka kthy Gjykata, sepse nuk është se po mbetet në vullnetin e ZRRE-së në pikën zero dhe të fillojë të përgatisë bazën ligjore për të krijuar sigurinë juridike dhe ekonomike që janë parime bazë dhe kushtetuese te ne. Nëse nuk ndodh kjo, Oda Ekonomike do të marrë veprime të tjera civile dhe penale, sepse në këtë rast edhe Prokuroria Speciale do të duhej ex-officio me fillu procedurën, pasi në mënyrë të kundërligjshme iu keni shkaktuar dëm bizneseve”, ka thënë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Supremja të hënën ka shfuqizuar nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, që kanë të bëjnë me kriteret e daljes në treg të hapur.
Por, në ZRRE kanë thënë se vendimi i saj për tarifa me pakicë për vitin 2025 nuk është i bazuar në dispozitat e shfuqizuara të udhëzuesit.
“Gjykata ka vërtetuar se e drejta për furnizim me tarifa të rregulluara të energjisë elektrike u takon vetëm konsumatorëve të kualifikuar për Shërbim Universal, që është në përputhje të plotë me Vendimin e Bordit të ZRRE-së për tarifat me pakicë për vitin 2025 dhe Direktivën për Energji Elektrike të Bashkimit Evropian 2009/72/EC. ZRRE, sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, ka për obligim të përcaktojë tarifa të energjisë elektrike me pakicë vetëm për konsumatorët e energjisë elektrike që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal dhe jo për konsumatorët që nuk i plotësojnë kriteret e furnizimit me shërbim universal”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
E avokati Ekrem Hoxha, që ka bërë padinë në emër të OEK-ut, është shprehur se asnjë shtet i rajonit që mbështetet në direktivat e BE-së nuk ka zgjedhur modelin që po e ndjek Kosova.
“Kosova është vendi i vetëm, i cili ka përvetësuar kriterin e ndarjes së qarkullimit mbi 10 milionë dhe mbi 50 punëtorë. Asnjë shtet i rajonit nuk e ka këtë, as vendet e BE-së, por shtetet e BE-së e bëjnë liberalizimin mbi bazën e volumit të konsumit të energjisë elektrike. Direktiva e BE-së thotë se në bazë të kapacitetit dhe konsumit, jo në bazë të kategorizimit si NMV. NMV-të janë vetëm për kategorizim për çështje tatimore dhe përfitim të granteve nga shtetet”, ka thënë Hoxha.
Dalja e bizneseve në treg të hapur është atakuar edhe në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës në fund të muajit gusht.
Nga kjo gjykatë kanë thënë për KOHËN se lënda është në procedurë të shqyrtimit.
“Vendimi do të publikohet pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.
Zyra e Rregullatorit për Energji në mars të këtij viti ka njoftuar për daljen e detyrueshme në treg të lirë të energjisë të rreth 1.300 bizneseve, duke detyruar që të zgjedhin vetë furnizuesin.
Vendimi ka prekur bizneset me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë.