Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka pyetur dëshmitarin e propozuar nga mbrojtja, James Rubin, lidhur me ngjarje konkrete që përfshihen në aktakuzë në rastin më të madh të Speciales, por ish-diplomati amerikan disa herë është përgjigjur se nuk i kujtohen.
Prokuroria është thirrur në dokumente të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe raportime të mediave amerikane si NewYork Times e britanike – BBC, por ai u përgjigj se nuk i mban mend incidentet konkrete pas 26 vjetësh.
Ish-zëdhënësi i DASH-it dhe këshilltari i lartë i sekretares Madeline Albright u pyet lidhur me raportimin e NewYork Times më 19 qershor 1999 për një artikullin me titull “Rebelët në Kosovë marrin qytetet; raportohet për dhunë”. Prokurori James Pace e pyeti për artikullin me nëntitullin “15 të burgosur të lënduar – NATO-ja konfiskon armë” që flet për hyrjen e forcave të KFOR-it gjerman brenda ish-objektit të MUP-it në Prizren.
“ ‘...hynë në një ish-seli të policisë serbe që e kishte marrë përsipër UCK-ja, ndaluan shkurtimisht 25 pjesëtarë të forcave guerrile dhe sekuestruan një grumbull me armë. Brenda stacionit, trupat gjermane gjetën 15 persona që ishin burgosur përfshirë një të moshuar që u gjet i vdekur, i prangosur në një karrige dhe i rrahur keq... Sipas zëdhënësit gjerman të burgosurit ishin serbë, shqiptarë dhe romë. Nuk ishte e qartë përse u arrestuan por, disa kalimtarë thanë se të burgosurit ishin informatorë dhe hajdutë. Një burrë kishte një rrip të kuq mbi shpinë, një i moshuar kishte një fasho përgjatë kohës dhe prerje në fytyrë, një tjetër ishte goditur me thikë në këmbë’. Pra dëshmitar ju po thoni që nuk iu kujtohet kjo storie konkrete që ka qenë në ballinën e New York Times e ju keni dëshmuar se keni qenë pikërisht në Kosovë në atë kohë dhe nuk keni dëgjuar asgjë për këtë”, pyeti prokurori James Pace.
“Mbase kam dëgjuar lidhur me këtë incident, mund të kemi bërë thirrje për tolerancë, kemi bërë thirrje për të mos marrë hak për vrasjet masive të bëra ndaj shqiptarëve nga serbët dhe i kemi inkurajuar shokët e komunitetit shqiptar të Kosovës të mos merrnin për atë që i kishte ndodhur, për tmerrin që e kishin përjetuar dhe sigurisht që ne i kemi dekurajuar aktivitetet e këtilla”, tha Rubin. Në pyetjen e prokurorit se a ka arsye për ta kontestuar përmbajtjen e artikullit, dëshmitari u përgjigj se nuk ka arsye për ta vënë në pikëpyetje atë.
Ngjashëm ai u përgjigj edhe për rastin e Qirezit dhe Baicës për të cilin ka dëshmuar Gjergj Dedaj (ku pretendohet se janë ndaluar e keqtrajtuar politikanët) për ndalimin e aktivistëve të LDK-së nga Malisheva, Cen Deskut e Jakup Kastratit. Rubin u përgjigj se nuk i mban mend konkretisht këto ngjarje.
