Arbëri

ZKA: Mungesa e kontrolleve në e-Kosova rrezikon sigurinë e shërbimeve

E-Kosova

Foto ilustrim

Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se mungesa e kontrolleve në platformën e-Kosova rrezikon sigurinë e shërbimeve.

Ky njoftim u bë pas realizimit të auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Platforma e shërbimeve online e-Kosova” për periudhën 2024 – qershor 2025, i cili sipas ZKA-së, ka vlerësuar nëse kjo platformë iu mundëson qytetarëve shërbime elektronike efikase, të sakta, të sigurta dhe të besueshme. 

Fokusi i auditimit thuhet se ka qenë në shërbimet “Shtesat për fëmijë”, “Tatimi në pronë”, “Subvencionimi i librave” dhe moduli “Pagesat elektronike”.

Ndonëse “Platforma e-Kosova” ka kontribuar në digjitalizimin, transparencën dhe efikasitetin e proceseve administrative, thuhet se ajo vazhdon të përballet me mangësi në kontrollet e aplikacionit, të cilat ndikojnë në integritetin, saktësinë dhe sigurinë e të dhënave.

“Rezultatet e auditimit tregojnë se për shërbimet ‘Subvencionimi i librave’ dhe ‘Shtesat për fëmijë’, mungesa e ndërlidhjes së duhur të sistemeve ka lejuar përfitimin e subvencionit të librave pa plotësuar kushtet e nevojshme dhe për shtesat e fëmijëve aplikime të dyfishta. Mungesa e përditësimit të gjendjes së pagesës në kohë reale dhe kontrollet e dobëta në modulin e pagesave kanë lejuar pagesa të njëjta të ekzekutohen disa herë, duke shkaktuar dëme financiare për qytetarët”, thuhet në njoftim. 

Më tej bëhet e ditur se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit e cila menaxhon platformën e-Kosova nuk ka vendosur standarde të mjaftueshme për menaxhimin e kontratave, duke lënë paqartësi mbi përgjegjësitë për sigurinë e informacionit, nuk garanton mjedis të sigurt informacioni për shkak të politikave të vjetruara dhe mungesës së tyre, si dhe nuk është e përgatitur për të rikthyer shërbimet në raste emergjente ose fatkeqësie duke rrezikuar vazhdimësinë e operacioneve shtetërore elektronike.