Zjarrfikësit në Lipjan po ankohen se gjatë intervenimeve po përballen me shumë telashe e vështirësi si pasojë e mungesës së investimeve në pajisje teknike dhe mirëmbajtje të objekteve.
Sipas zjarrfikësve, ky institucion nuk posedon as banja që pas intervenimeve në terren, zjarrfikësit t’i pastrojnë rrobat e tyre.
Skender Bajrami, njëri prej zjarrfikësve në Lipjan, ka thënë se sa herë që kthehen nga intervenimi rrobat i pastrojnë me autocisternë në oborr të institucionit.
“Këtë video dua ta bëj publike sepse ne nuk kemi kushte, madje as banja për t’i pastruar rrobat pasi të kthehemi nga intervenimi i terrenit. Kjo është shumë shqetësuese për institucionet publike në përgjithësi se si i trajtojnë zjarrfikësit të cilët gjatë 24 orëve jemi të rrezikuar në terren”, ka thënë Bajrami.
Ai ka shtuar se shpeshherë gjatë intervenimeve në terren përballen edhe me defekte të shpeshta në makineri si pasojë e mosmirëmbajtjes së tyre.
“Kemi pasur rast kur autocisterna gjatë intervenimit ka pasur defekt dhe i është ndezur drita e vajit shkaku i cilësisë së dobët të vajit dhe mosmirëmbajtjes së automjetit. Për këto dhe shumë shqetësime të tjera u jemi drejtuar edhe institucioneve komunale dhe atyre qendrore, por nuk janë shqyrtuar. Ne kërkojmë siguri dhe pajisje për punë sepse jemi të rrezikuar vazhdimisht”, ka thënë Bajrami.