Arbëri

Zhvlerësohet Plani zhvillimor për Komunën e Ferizajt

Plani Zhvillimor Komunal i Ferizajt për vitet 2017–2025 është shpallur i pavlefshëm nga Gjykata e Apelit, shkaku i shkeljeve ligjore gjatë hartimit dhe miratimit të tij. Drejtori aktual i Urbanizmit, Arbër Bytyqi, është shfajësuar duke thënë se në kohën e miratimit të tij, ai dhe partia e tij nuk kanë qenë në qeverisje

Arianita Hoti

Pas betejës së gjatë ligjore të nisur nga qytetarët e Ferizajt, Gjykata e Apelit konfirmoi se Plani Zhvillimor Komunal i kësaj komune për vitet 2017-2025 është ligjërisht i pavlefshëm.

Në një vendim të 12 shtatorit të 2023-s, Gjykata Themelore në Prishtinë pati gjetur se Plani u miratua pa shqyrtimin publik, obligim ky i paraparë me nenin 20 të Ligjit për Planifikim Hapësinor.

Në aktvendim u pati konstatuar se Komuna e Ferizajt nuk i ka respektuar procedurat themelore ligjore. E pas kësaj, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila e refuzoi atë si të pabazë.

“Me këtë vendim konfirmohet pavlefshmëria ligjore e Planit Zhvillimor Komunal të Ferizajt 2017–2025, për shkak të shkeljes së procedurave të detyrueshme ligjore gjatë hartimit dhe miratimit të tij, konkretisht mungesës së shqyrtimit publik dhe mospërfshirjes së qytetarëve në procesin konsultativ, siç parashihet me Ligjin për Planifikim Hapësinor”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Arbër Bytyqi, drejtori i Urbanizmit në Ferizaj, u arsyetua për veprimet tek tha se më 2017, kur Plani është miratuar, ai nuk ka qenë në pozitën e drejtorit.

“Plani Zhvillimor Komunal është miratuar në vitin 2017, në një periudhë kur ne nuk kemi qenë në pushtet dhe nuk kemi qenë pjesë e hartimit apo miratimit të procedurave të këtij plani strategjik. Megjithatë, kemi bërë përpjekje për të gjetur forma ligjore për ta shfuqizuar këtë plan. Për shkak të obligimeve ligjore, pasi çdo plan duhet të jetë në fuqi për 8 vite, nuk kemi arritur të marrim pëlqimin nga ministria për anulimin e tij”, ka thënë Bytyqi.

E Brahim Osmani, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë në Ferizaj, theksoi se subjekti i tij në vazhdimësi ka qenë kundër planit teksa e akuzoi Drejtorinë e urbanizmit për lëshim lejesh ndërtimore pa përmbushje të kritereve urbanistike.

“Duke parë vetë ndërtesat, ka pasur vendime dhe leje për të cilat nuk janë plotësuar kushtet urbane, dhe PZHK, kur është thirrur për t’u shfuqizuar, nuk e ka bërë për tetë vite, dhe në fund të këtij viti e ka bërë”, ka thënë Osmani.

Por drejtori Bytyqi i hodhi poshtë pretendimet.

“Lejet ndërtimore nuk mund të lëshohen mbi bazën e Planit Hapësinor, por vetëm sipas destinimit të përcaktuar nga Plani Zhvillimor. Deri më tani është realizuar vetëm pjesa e destinimit, ndërsa të gjitha lejet që janë lëshuar kanë qenë në përputhje me ligjin”, ka thënë ai.

Në aktgjykimin e Apelit thuhet se edhe ish-drejtori i urbanizmit në Komunën e Ferizajt përballet me proces penal për keqpërdorim detyre dhe të autoritetit zyrtar lidhur me miratimin e kundërligjshëm të Planit Zhvillimor Hapësinor Komunal.