Arbëri

S’ka përparim në dialog: Kosova kërkon zbatim të marrëveshjes, Serbia Asociacionin

Takim trepalësh në Bruksel bislimi sorensen petkoviq

Foto: Arkiv

(E përditësuar 17:10) -Ka përfunduar një raund tjetër i dialogut Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve. Sikur edhe herave të tjera, palët vetëm kanë akuzuar njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë për të zbatuar ato pikat e marrëveshjes që i shohin të rëndësishme.

Pala serbe ka insistuar që të zbatohet së pari pjesa e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkohë që Kosova ka insistuar që të zbatohet marrëveshja bazë në tërësi dhe që sidomos çështjet që kanë të bëjnë me komisionet për të pagjeturit, sipas kryenegociatori të Kosovës, Besnik Bislimi.

“Ideja sot ishte të kemi fillimisht progres në themelimin e komisionit të përbashkët për personat e zhdukur me forcë dhe pastaj në pjesën tjetër të kemi një takim, ku palët – Kosova dhe Serbia – japin propozime konkrete, sipas të cilës pastaj, versioni i dhjetë i planit të sekuencimit do të mund të bëhej një plan i pranueshëm për palët”, ka thënë fillimisht Bislimi.

Ai ka thënë se në pikën e parë nuk është arritur qëllimi për themelimin e komisionit për persona të pagjetur.

“Për arsye se, me gjasë Serbia është tërhequr nga marrëveshja për termat e referencës të cilën e kemi përfunduar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke thënë se ata duan që edhe një herë të ndërhyjnë në dokument, gjë që nuk është pranuar nga Brukseli dhe as nga pala jonë. Këtu kemi parë pak a shumë një joharmoni në ekipin serb. Si duket dikush ka dashur ne sot ta themelojmë, por pjesa tjetër ka bllokuar”, ka thënë tutje ai.

Ndërkaq për pikën tjetër, Bislimi ka thënë se Kosova ka ofruar tri propozime e Serbia jo, por vetëm ka kërkuar Asociacionin si kusht të parë. Sipas tij, me këtë kushtëzim, Serbia ka treguar se është tërhequr nga marrëveshja bazë.

“Kosova dha tri propozime të veta. Ato kishin të bëjnë me sigurimin që nenet 1 deri 4 të jenë të përfshira të marrëveshjes bazike, pasi kështu garantohet plotësimi i një neni të aneksit që thotë palët dakordohen apo përkushtohen për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike. Kemi kërkuar që obligimi i Serbisë për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të zhvendoset nga fundi i planit në krye të planit. Kemi kërkuar që përmes gjuhës më precize të eliminohet çfarëdo mundësie për ambiguitet apo dykuptimësi.  Ndërkohë që Serbia ka refuzuar të japë propozime konkrete. Por, pozicioni i Serbisë mund të përkthehet si shumë thjeshtë, së pari Asociacioni parakusht e pastaj vijat e kuqe të Serbisë, që nënkupton se në fakt Serbia është tërhequr nga marrëveshja bazike ose refuzon të diskutojë marrëveshjen bazike”, ka thënë ai.


Përfundon takimi trepalësh në Bruksel

(E përditësuar 16:45) Ka përfunduar në Bruksel takimi trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mes të kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, nën ndërmjetësim të emisarit Peter Sorensen.

Takim trepalësh në Bruksel

(E përditësuar 15:15) - Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, po zhvillojnë takim të përbashkët me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, në Bruksel, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.

Fillimisht, Bislimi e Petkoviqi kishin zhvilluar takime të ndara me Sorensenin.


Zhvillohen takime në kuadër të dialogut në Bruksel

(13:15) - Në Bruksel janë duke u zhvilluar takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga i dërguari i posaçëm i BE-së, Peter Sorensen. 

Sipas burimeve evropiane, Sorensen ka takuar sot në takime të ndara, kryenegociatorët nga Kosova dhe nga Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Është paralajmëruar se do të ketë edhe takim trepalësh, pra të kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia me prani të emisarit Sorensen.

Takimet në kuadër të dialogut janë bërë shumë të rralla, sidomos duke pasur parasysh situatën politike në Serbi por edhe mosthemelimin e institucioneve të Kosovës me legjitimitet të plotë pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit. Në këto rrethana, sipas diplomatëve në Bruksel, rrethanat nuk janë të favorshme për ndonjë progres në kuadër të dialogut. Por, nga BE-ja kanë vazhduar të bëjnë thirrje që palët të përmbushin të gjitha obligimet e tyre nga procesi i dialogut, se nga kjo varet edhe e ardhmja e tyre evropiane.