Arbëri

Zgjerimi, prioritet në buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së prej 2 trilionë eurosh

Komisioni Evropian

Komisioni Evropian, pas shumë diskutimeve ka propozuar kornizën shtatëvjeçare financiare për periudhën pas vitit 2027, që është dokumenti më i rëndësishëm për BE-në. Komisioni për shtatë vjet ka propozuar 2 trilionë eurosh, nga të cilat do të financohet shumë politika, përfshirë edhe zgjerimi i BE-së.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka thënë gjatë prezantimit të këtij plani se me këtë kornizë buxhetore kanë caktuar edhe zgjerimin si prioritet kyç.

“Zgjerimi është prioritet kyç. Nuk është vetëm qëllim politik por investim strategjik në stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Prandaj ne po e hapim në tersi edhe instrumentin ‘Global Europe’ edhe për vendet kandidate, jo vetëm për asistencë teknike por edhe për reforma dhe projekte konkrete”, ka thënë ajo.

Mjetet financiare për procesin e zgjerimit janë në kuadër të fondit prej 200 miliardë euro të dedikuara për vendet e zgjerimit dhe ato të fqinjësisë. Krahas kësaj vetëm për Ukrainën do të ndahen 100 miliardë euro.

Presidentja e Komisionit Evropian ka sqaruar se, nëse ndërkohë në periudhën prej 2028 deri në vitin 2034 ndonjë vend i ri anëtarë do të hyj në BE, atëherë do të rishikohet dhe ndryshohet edhe korniza shumëvjeçare financiare.  

Ajo sqaroi se gjatë negociatave të anëtarësimit do të negociohen edhe aspektet financiare të anëtarësimit të vendit përkatës,  në bazë të madhësisë së vendit kandidat dhe efektit që do të ketë në BE, siç janë pagesat për politikën e  kohezionit dhe bujqësisë.

“Prandaj obligimet dhe premtimet janë se me zgjerimin do të rishqyrtohet dhe buxheti, siç ka qenë edhe në të kaluarën”, ka thënë Von der Leyen.

Me këtë propozim të Komisionit ka nisur procesi i miratimit të dokumentit më të rëndësishëm të BE-së dhe kjo do të zgjasë deri në vitin 2027 kur duhet të miratohet. Por në bazë të reagimeve të para nga Parlamenti Evropian, i cili e kritikoi këtë propozim, do të jetë vështirë që të arrihet kompromisi.