Kërkesa e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve të prillit edhe në territorin e Kosovës nuk ka marrë ende drejtim. Derisa Qeveria e Kosovës është në pritje të kërkesës zyrtare nga fqinji veriore për gjetjen e një modaliteti që u mundëson serbëve të ushtrojnë të drejtën e tyre, juristët thonë se për dallim prej referendumit, zgjedhjet nuk i cenojnë sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit edhe nëse procesi do të lehtësohej nga misioni i OSBE-së
Prishtinë, 20 mars - Çështje të ndarë nga referendumi i para disa muajve dhe pa implikime në sovranitetin e shtetit, i konsiderojnë juristët zgjedhjet e Serbisë që mbahen më 3 prill.
Qeveria që refuzoi lejimin e referendumit më 16 janar, tani ka thënë se është në pritje të kërkesës së fqinjit verior për modalitetet e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në Kosovë.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka argumentuar se organizimi i zgjedhjeve nëpërmjet OSBE-së nuk përbën shkelje të sovranitetit.
“Zgjedhjet nuk duhet të merren si çështje e dinjitetit shtetëror dhe sovranitetit, sepse nuk janë të tilla. Përpara i ka organizuar ose më mirë thënë ka ndërmjetësuar OSBE-ja, sepse pala serb ka bërë kërkesë për një gjë të tillë. OSBE-ja sikurse edhe çdo organizatë tjetër ndërkombëtare nuk është bartëse e sovranitetit, prandaj edhe organizimi nga ana e saj, për Kosovën nuk prish asnjë punë dhe është krejt legjitime. Pra, nuk preket çështja e sovranitetit”, ka thënë Hasani.
Zyrtarë të partisë në pushtet më herët insistonin se do të vlejë parimi i vendosur me rastin e referendumit, kurse serbëve iu ofruan dy opsione për të votuar nëpërmjet postës ose zyrës ndërlidhëse. Tani kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk duan t’ia mohojnë të drejtën e serbëve për të votuar, por duke respektuar edhe Kushtetutën.
“Ne dëshirojmë që në Kosovë të respektohen Kushtetuta, ligji dhe Rezoluta e 15 janarit të këtij viti. Ndërkaq, nuk duam që t’ia pengojmë, t’ua pamundësojmë qytetarëve të Kosovës, që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë, të drejtën e tyre të votës”, ka theksuar Kurti.
Hasani nuk e konsideron më pak të dëmshme nëse zgjedhjet do të organizoheshin nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse.
“Edhe mbajtja e zgjedhjeve në Zyrën Ndërlidhëse është efektivisht në territorin e Kosovës, sepse ajo zyrë nuk e ka statusin diplomatik siç e kanë ambasadat apo konsullatat. Pra, nuk e ka këtë imunitet”. Prandaj kjo qasje e qeverisë është më shumë një përpjekje për me iu shmang kërkesave të miqve ndërkombëtarë rreth këtyre zgjedhjeve”, është shprehur Hasani.
Marrëveshja për Aranzhmanet Ndërlidhëse e nënshkruar më 30 maj 2013 nuk parasheh që zyrat përkatëse ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd të bëjnë organizimin e zgjedhjeve. Zyrat ndërlidhëse kanë përgjegjësi administrimin e vizitave të zyrtarëve të shteteve përkatëse.
Kur kanë mbetur dy javë, çështja e zgjedhjeve të Serbisë është rikthyer temë diskutimi në takimet e liderëve me diplomatët e huaj. Vendet e QUINT-it dhe BE-ja i kanë kërkuar Qeverisë t’i gjejë modalitetit që serbëve iu mundëson ushtrimin e të drejtës së votës.
Në Qeverinë e Kosovës kanë thënë të shtunën se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Serbia për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të 3 prillit. Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, ata nuk duan që të pamundësojnë pjesëmarrjen në votim në këto zgjedhje qytetarëve serbë që kanë dyshtetësi, “por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.
Derisa për moslejimin e referendumit ka pasur mirëkuptim nga aleatët, sipas Hasanit, e njëjta nuk pritet edhe në rastin e zgjedhjeve.
“Asnjë hapësirë për mirëkuptim nuk do të ketë nga ana e tyre nëse refuzohet apo nëse rezistohet lejimi i mbajtjes së tyre përmes OSBE-së. Qeveria nuk mund të tërheqë paralele me referendumin kushtetues që e organizoi Serbia”, ka thënë Hasani.
Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë janë mbajtur më 21 qershor të vitit 2020. Ato ishin zhvilluar sipas një praktike të mëhershme, ku misioni i OSBE-së në Kosovë ka grumbulluar votat. Pas mbylljes së qendrave të votimit, fletëvotimet më pas janë dërguar për numërim në dy qytete kufitare të Serbisë.