Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar numrin e qendrave të votimit për zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit. Nga 44 qendra të votimit, ku zakonisht janë zhvilluar zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës, me vendim të KQZ-së ato janë zvogëluar në 19. Nga to, 6 qendra do të jenë në lokacione të zakonshme e 13 të tjera qendra alternative. Po ashtu është vendosur që numri i votuesve për një vendvotim të rritet nga 750 në 2 mijë votues
Në 19 është zvogëluar numri i qendrave të votimit në katër komunat në veri për zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit, nga gjithsej 44 sosh sa ishin hapur në zgjedhjet e fundit.
Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të organizuar të premten, është bërë e ditur se nga numri 44 i qendrave të votimit, vetëm në 8 prej tyre është konfirmuar se mund të hapen.
Arianit Elshani, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, ka thënë se në pamundësi të shfrytëzimit të papenguar të qendrave të zakonshme të votimit, shumica e tyre do të jenë alternative.
“Nga korrespodencat me organet e sigurisë dhe në bashkëpunim me ta lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe nga vlerësimi i tyre dhe rekomandimi që kemi marrë me datë 10 prill dhe nga kontaktimi që kemi bërë me drejtorët e shkollave, menaxherët e qendrave të votimit, është konstatuar se nga 44 qendra të votimit që zakonisht është zhvilluar procesi zgjedhor në vitin 2021 dhe 2019 e tutje, 8 prej tyre kanë konfirmuar se mund t’i hapin ato”, ka thënë Elshani. “Sidoqoftë, duke u bazuar në vlerësimin, në këtë rast edhe të Komisioneve Komunale Zgjedhore, edhe të organeve të sigurisë, është konstatuar se vetëm 6 qendra të votimit mund të hapen në lokacionet e zakonshme. Dhe 13 qendra të votimit do të jenë qendra alternative apo ndryshe në kontejner, të cilat do të sigurohen nga institucionet e tjera”.
Por, për këtë rekomandim u kërkuan më shumë të dhëna dhe sqarime.
Ilir Gashi, anëtar tjetër i PDK-së në KQZ, ka thënë se për arsyen e hapjes së qendrave alternative nuk kanë qenë të informuar mjaftueshëm. Ai ka kërkuar që të bëhet publike vendndodhja e qendrave të votimit, në mënyrë që të informohen edhe votuesit.
“Duhet të informohemi më saktë rreth asaj, rreth komunikimeve që keni pasur me organet e sigurisë që kanë ardhur në përfundime se nuk mund të hapen në 44 qendra. Por duhet të hapen më pak dhe duhet të krijohen qendra alternative për më tepër edhe vendndodhja e tyre se ku do të hapen e kemi akoma të paqartë dhe nuk e dimë se cilat do të jenë ato”, ka thënë Gashi.
Kryeshefi i KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se KQZ-ja ka qenë në koordinim me institucionet relevante gjatë këtij procesi.
“KQZ-ja ka qenë në koordinim të plotë edhe me organet e sigurisë dhe nga raportet e vlerësimit që i kemi edhe nga organet e sigurisë, si dhe nga raportet e komisioneve komunale zgjedhore në secilën komunë, si dhe nga kontakti që është bërë për secilën shkollë, respektivisht me drejtorë të shkollave të cilët posedojnë çelësat e atyre shkollave, duke i pasur parasysh të gjitha këto vlerësime dhe konstatime, kemi rekomandimin nga komisionet komunale zgjedhore prapë them edhe në koordinim me organet e sigurisë që këto janë lokacionet më të përshtatshme për mbajtjen dhe hapjen e qendrave të votimit”, ka thënë Ahmetaj.
Pas kësaj, me tetë vota për dhe një abstenim është miratuar ky rekomandim për zvogëlim të qendrave të votimit.
Për shkak të zvogëlimit të numrit të qendrave të votimit, në mbledhje u mor vendim edhe për rritje të numrit të votuesve për vendvotim, e edhe për ulje të numrit të vendvotimeve.
Nga 69 vendvotime të planifikuara, tash do të hapen 34. E nga 750 sa ka qenë numri i votuesve për një vendvotim, në zgjedhjet e 23 prillit janë paraparë 2 mijë votues për një vendvotim.
Arianit Elshani ka prezantuar rekomandimet e Këshillit Operacional Zgjedhor për rritjen e numri të votuesve për vendvotime, për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave Zubin-Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
“Për shkak tash të zvogëlimit të numrit të qendrave të votimit, pra nga 44 në 19 sosh, ne obligohemi që të rrisim edhe numrin e votuesve, por edhe të ulim numrin e vendvotimeve, në këtë rast nga 69 që kanë qenë të planifikuara, të ulet në 34 vendvotime. Pra nga 750 që ka qenë numri i votuesve për një vendvotim, tash rritet në 2 mijë votues për një vendvotim”, ka thënë Elshani.
Ndër të tjera, në mbledhjen e KQZ-së janë miratuar edhe përbërja e komisionerëve dhe numri i fletëvotimeve dhe broshurave.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin-Potokut janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e këtyre komunave që i përkasin Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të konvertimit të targave ilegale të automjeteve, të lëshuara nga Serbia.
Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, ishin shtyrë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.
Pas kësaj dhe pas caktimit të datës së re të zgjedhjeve, afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars e Lista Serbe nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në to.
Vendet e QUINT-it janë pajtuar që zgjedhjet të mbahen më 23 prill dhe kanë shprehur keqardhje që Lista Serbe ka vendosur t’i bojkotojë ato.