Arbëri

Zgjedhjet në SHBA dhe BE pritet të mos e largojnë fokusin nga dialogu

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se ndërkombëtarët do ta mbajnë fokusin në dialogun Kosovë-Serbi, pavarësisht zgjedhjeve të reja në Bashkimin Evropian e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tyre, gjashtë muajt e parë të vitit mund të përdoren për nxitje të palëve për të shënuar progres në normalizimin e marrëdhënieve.

Zgjedhjet që do të mbahen këtë vit në Bashkimin Evropian (BE) e edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk do ta zbehin fokusin e perëndimit ndaj dialogut Kosovë-Serbi, kanë thënë të shtunën njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pavarësisht zgjedhjeve, Dritan Hoti, profesor në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, pret që për shkak të zhvillimeve të fundit, sidomos në Serbi, të mos humbasë interesimi i vendeve evropiane e veçmas i Uashingtonit, në çështjen e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

“Nuk shoh një reduktim të interesit, të fokusit të Shteteve të Bashkuara që kanë institucione profesioniste të pavarura, që trajtojnë problemet e politikës internacionale duke përfshirë edhe rastin Kosovë-Serbi dhe nuk shoh një shpërqendrim të fokusit të disa shteteve evropiane në lidhje me problematikat Kosovë-Serbi, nisur nga mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme të muajit qershor për Parlamentin Evropian”, ka thënë Hoti.

Por njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, interesimin e perëndimit për progres në dialog e ndan në dy faza. Vetëm gjashtëmujori i parë, sipas Çipës, mund të sjellë hapa konkretë në negociata.

“Në fazën e parë ku do të ketë mundësi për të ecur përpara në procesin normalizues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për të ecur përpara në dialog, dhe në një pjesë të dytë që do të jetë shumë e vështirë për të parë hapa konkretë në dialog dhe për shkak të angazhimit që besoj do të jetë më i dyzuar”, ka vlerësuar ai.

Ndryshe nga Çipa, Hoti nuk sheh ndonjë intensitet të shtuar për një progres të madh në dialog, që pastaj në zgjedhjet e Parlamentit Evropian do të mund të përdorej si trofe politik. Kjo pasi, beson se angazhimi për një zgjidhje finale ende është çështje e disa shteteve të veçanta e jo prioritet i të gjitha vendeve evropiane.

“Bashkimi Evropian nuk ka arritur ende në atë stad ku transferohen praktikat, qëndrimet, pozicionimet e politikës së jashtme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në institucionet e përbashkëta evropiane. Evropa ende nuk ka arritur në stadin e saj, pra që të funksionojë si një unitet kompakt gjeopolitik”, ka theksuar Hoti.

E Çipa vlerëson se zhvillimet në Serbi, ua mundësojnë ndërkombëtarëve që të ushtrojnë presion mbi këtë shtet, për të shënuar avancim në negociata.

“Mendoj se ekspozimi i farsës elektorale në Serbi dhe një ekspozim më i dyzuar dhe më i dobët tashmë i presidentit Vuçiq dhe i lidershipit serb në përgjithësi, ofron kondita për të gjithë këta përfaqësues diplomatikë për të ushtruar presion të menjëhershëm ndaj tij dhe për të kërkuar hapa të mëtejshëm në procesin negociues me Kosovën”, ka thënë Çipa.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian pritet të mbahen në qershor ndërkaq në nëntor ato presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Në zgjedhjet paraprake amerikane, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në Shtëpinë e Bardhë, u prezantua në fushatë si trofe politik, nga ish-presidenti Donald Trump. Ai theksoi në disa takime elektorale se nëpërmjet marrëveshjes që e sponsorizoi, ka arritur të ndalë një gjakderdhje të re në Ballkan.

Megjithëkëtë, marrëveshja parashihte vetëm disa aspekte ekonomike dhe ajo nuk gjeti zbatim, e as Trump nuk u rizgjodh president i Shteteve të bashkuara.

Ndërkaq, edhe evropianëve nuk pritet t’u shërbejë si trofe aktiviteti i deritashëm në dialog. Procesi i nisur në 2011-n, ka prodhuar dhjetëra marrëveshje, por të cilat kanë gjetur fare pak zbatim.

Megjithëkëtë, profesori Dritan Hoti ka thënë se Parlamenti Evropian, për të cilin do të mbahen zgjedhjet, nuk ka asnjë influencë që të ketë mekanizma diktuese të politikës së jashtme.

“Por, nga ana tjetër, Parlamenti Evropian mund të tundë kartën e aderimit në Bashkimin Evropian. Pra, është një lloj kushtëzimi që mund t’i imponohet Serbisë dhe në nivele retorike, Parlamenti Evropian mund ta bëjë këtë dhe është i vetmi instrument, mekanizëm që ai disponon”, ka thënë ai.

Shkaku i zgjedhjeve në SHBA dhe BE, janë shtuar zërat që edhe në Kosovë të organizohen zgjedhje të parakohshme. Mes eksponentëve politikë që e kanë kërkuar këtë, janë përfaqësuesit e partive opozitare, por edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila.