Sylë Ukshini, ish-diplomat, ka thënë se të gjitha partitë politike po krijojnë terrene për të krijuar një pozicion më të mirë në prag të zgjedhjeve. Në “Interaktiv” të KTV-së ai ka theksuar se “ideja” e partive është që të lihet dikush fajtor për krizën institucionale, para se të shkohet në zgjedhje.
Ai ka shtuar se edhe Lëvizja Vetëvendosje ka dashur zgjedhje të reja, sepse ndryshe do të bënte kompromis. Ndërkohë, u shpreh se “idealja” ka qenë që LVV të bëjë koalicion me Nismën.
“LDK atë divorcin që e bëri para kohe me VV-në, ia ka lënë një shije të hidhur. Me PDK-në qëndrimi i VV-së ka qenë më agresiv dhe ndoshta edhe nuk ka shumë arsye të ketë hatërmbetje te PDK-ja sepse i ka thënë se me ty dhe Listën Serbe nuk bëjmë koalicion. Ka qenë ideale për VV-në dikur të bëhej marrëveshje me partinë e Limajt, do kishim kryetarin e Kuvendit shpejt dhe numrat për qeveri. Por këtu është kalkuluar te kriza për president dhe kjo rri si hije te të gjitha partitë. Të gjithë e dinë që është këtu një lojë edhe te presidenti”, ka potencuar Ukshini.
Ukshini nuk pret ndryshime të mëdha sa i përket rezultateve nga zgjedhjet e reja për partitë politike që mund të mbahen në dhjetor apo në janar.
“Ndryshime nuk do të ketë shumë të mëdha, nëse nuk braktiset kjo formë e komunikimit do të hyjmë në një ngërç tjetër pas këtij. Krejt e parëndësishme është kush i ka fajet, dëmi i madh që do pësojë Kosova. Vonesat tona, mosmbyllja e një procesi të normalizimit të raporteve, mosintegrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare padyshim e dobëson pozicionin e Kosovës. Serbisë nuk i ngutet në dialog, i konvenon t’ia humb Kosovës kohën, ne nuk kemi. Fokusi duhet të jetë te reformat”, ka thënë më tej ai.
Ngritje pak më të lartë se në zgjedhjet e shkurtit Ukshini pret te Partia Demokratike e Kosovës.
“Ky bashkimi i një pozicioni që e ka bë PDK me Bedri Hamzën, dhe vendosja e një kapele mendoj se Hamzës i ka dhënë më shumë fuqi dhe mund të shënojë një ngritje të ndjeshme në krahasim me partitë tjera. LDK-ja humbi dy bastione, do mbetet prapë në shifrat që ka qenë. LVV-ja mund të ketë plus minus. Por nuk mund të ketë ndryshime aq të mëdha brenda një kohë të shkurt”, përfundoi Ukshini.