Në zgjedhjet parlamentare që janë mbajtur më 9 shkurt është regjistruar numri më i ultë i votave të pavlefshme.
Sipas dokumentit që analizon votat e pavlefshme në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, i cili është miratuar në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që është mbajtur të hënën, nga numri i përgjithshëm i votuesve (966,283) që votuan në vendvotimet e rregullta, vendvotimet me kusht dhe në votimin jashtë Kosovës, 2.83 për qind e fletëvotimeve ishin të pavlefshme apo të zbrazëta.
Nëse të dhënat e vitit 2025 krahasohen me të gjitha proceset zgjedhore të kaluara (2007, 2010. 2014, 2017, 2019 dhe 2021) në të cilat është aplikuar sistemi zgjedhor me lista të hapura, pra ku votuesit kanë zgjedhur subjektin politik dhe kandidatët për deputetë, atëherë në zgjedhjet e 9 shkurtit është regjistruar numri dhe përqindja më e ulët e fletëvotimeve të kësaj natyre.

Në mbledhjen e KQZ-së gjithashtu është prezantuar raporti informues lidhur me ecurinë e përgatitjes së zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas raportit informues, është duke u zhvilluar periudha për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës dhe që nga fillimi i saj më 28 qershor dhe deri më 4 gusht 2025, sipas KQZ-së janë pranuar 1,500 kërkesa, prej të cilave 1,409 janë aprovuar, ndërkaq 91 të tjera janë refuzuar për shkak se nuk kanë bashkangjitur fotografinë e tyre duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues.