Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zeqiri: Zgjedhjet janë zgjidhje, rikthimi i Osmanit në LDK e prek VV-në

Adrian Zeqiri

Analisti politik Adrian Zeqiri ka thënë se zgjedhjet e reja parlamentare janë zgjidhja për situatën aktuale politike. Ai ka thënë se palët janë pozicionuar në qëndrimet e tyre dhe se nuk mund të arrihet më konsensus për një emër për president. E sipas tij, në rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK, do të rikonfiguronte skenën politike.

Presidentja Osmani nxori dekretin për shpërndarje të Kuvendit më 6 mars, një ditë pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri. Dekreti i saj u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet që e çoi në Gjykatë. Kushtetuesja e ka pezulluar dekretin dhe punën e Kuvendit deri më 31 mars, për të marrë vendim.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kriza për presidentin, sipas Zeqirit, pasqyron ndarjen e thellë të skenës politike në Kosovë. Ai ka thënë se dekreti ka qenë i duhur, megjithatë ka shtuar se pret vendim të veçantë për këtë rast nga Gjykata, për shkak se Kuvendi s’ka qenë i konstituuar për të kaluar 60-ditëshin si proces për ta zgjedhur presidentin.

“S’ka konsensus për president. Janë nxjerrë shpatat e janë pozicionuar akterët. Edhe nëse jepet 60-ditëshi, shumë pak e pritshme që të ketë zgjidhje konsensuale. Zgjedhjet janë zgjidhje, për arsye se kemi rikonfigurim”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Sipas tij, rikthimi i Osmanit në skenën politike do të shkaktojë rikonfigurim politik. Hapja e dyerve nga Lidhja Demokratike të Kosovës për rikthim, sipas Zeqirit, do të rikthejë binomin Osmani-Abdixhiku dhe do të mund ta dëmtonte Lëvizjen Vetëvendosje.

“Më 2020, ka pasur frymë të re politike. VV-ja pati atë koalicionin e quajtur ‘të shpresës’. Binomi (Albin) Kurti-Osmani vazhdimisht ka fituar zgjedhjet dhe e kemi parë edhe vjet. Tash kemi thyerje të madhe të këtij binomi. Cilat do të jenë konsekuencat elektorale të kësaj thyerje mbetet të shihet? Por gjithsesi shihet se ka thyerje”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Osmani ka çuar një numër të madh të votave në Vetëvendosje dhe se edhe Lista Guxo e formuar nga ajo më nuk është e neglizhueshme. Sipas tij, është pak e pritshme që VV-ja të përsërisë rezultat me më shumë se 50 për qind të votave. Zeqiri ka vlerësuar se rikthimi i Osmanit në LDK-në e Lumir Abdixhikut mund të rikthejë edhe votues te partia e tretë

“Binomi i parë ka qenë Abdixhiku-Osmani. Ajo gjenerata e re e LDK-së dhe pritej që këta të dy ta merrnin partinë nën udhëheqje. Por Kurti me manovrim të jashtëzakonshëm politik i pati ndarë dhe u bë binomi Kurti-Osmani. Tash duket se do të kthehemi te binomi origjinal. Abdixhiku ka ruajtur një raport me Osmanin. Mos të harrojmë ajo u zgjodh presidente vetëm falë votave të LDK-së më 2021. Dhe gjatë gjithë kësaj situate s’ka pasur sulme të ulëta. Është ruajtur një raport”, ka thënë ai duke shtuar se ka anëtarë që e shohin Osmanin si tradhtare ndaj LDK-së.

Megjithatë ai ka vlerësuar se “LDK-ja s’është në pozicion që t’i thotë jo Osmanit në kuptim të rezultatit të fundit”.

Këtu ka shtuar se pret kompromise e ndoshta edhe koalicion më të gjerë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Se sa do ta dëmtojë VV-në rikthimi i mundshëm i Osmanit në LDK, Zeqiri ka thënë se ajo s’do ta prekë bazën e votuesve dhe aktivistëve, por po ata që kanë qenë të pavendosur e që i ishin bashkuar VV-së pas bashkimit me Osmanin.

Sot gjatë ditës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se bashkimi eventual i partisë që e udhëheq me presidenten Vjosa Osmani do të ishte i dobishëm për vendin.  Ai ka thënë se më specifiksisht për këtë çështje mund të flasë pasi që Osmanit t’i skadojë mandati, më 4 prill.