Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka uruar kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri, ku socialistët siguruan 83 nga 140 mandatet në Kuvend.
Përmes një postimi në platformën “X”, Zelensky shprehu vlerësimin për angazhimin e Ramës në mbështetje të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, veçanërisht në lidhje me konfliktin në Ukrainë.
“Urime Edi Ramës dhe Partisë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj suksese në shërbimin ndaj popullit shqiptar”, shkroi Zelensky.
Presidenti ukrainas gjithashtu theksoi mirënjohjen për pozicionin e qartë dhe të pandryshuar të Shqipërisë në mbështetje të një zgjidhjeje paqësore të luftës në Ukrainë.
“Ne e vlerësojmë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur mbi nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën, e cila mund të arrihet nëpërmjet një armëpushimi të plotë dhe pa kushte”, shtoi ai.
Në fund të mesazhit të tij, Zelensky shprehu dëshirën për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
“Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona në të mirë të të dy kombeve tona”, ka shkruar tutje ai.