Arbëri

Zeka: Vendimet e Gjykatës Komerciale kanë shkaktuar konfuzion dhe diskriminim te bizneset

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka ngritur shqetësime për mënyrën si është menaxhuar procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe ndikimin që ai ka pasur te komuniteti i bizneseve.

Sipas Zekës, vendimet e fundit të Gjykatës Komerciale lidhur me paditë e ngritura nga dy kompani ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), kanë krijuar një situatë të paqartë dhe diskriminuese për mbi 1300 biznese që janë përfshirë në tregun e lirë të energjisë nga 1 qershori.

“Ka shumë konfuzion në mesin e bizneseve. Edhe pak ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për treg të hapur, ato kishin shumë pak informacione. Kishin shpresë se ky vendim do të shtyhej, por kjo nuk ndodhi, pjesërisht për shkak të mungesës së rekomandimeve nga Qeveria”, u shpreh Zeka në "60 Minuta" të KTV-së.

Ai theksoi se, për herë të parë pas tetë vjetësh, Qeveria nuk ka dhënë asnjë rekomandim për ZRRE-në në lidhje me këtë çështje, “madje, përmes deklaratave publike, ka lënë të kuptohet se e mbështet vendimin për liberalizimin”.

Zeka shton se vendimet e Gjykatës Komerciale, të cilat përkohësisht i lirojnë vetëm dy kompani nga liberalizimi i tregut, kanë krijuar një situatë diskriminimi ligjor dhe ekonomik, pasi pjesa tjetër e bizneseve vazhdojnë të preken nga ky vendim pa pasur qartësi për rrjedhën e mëtejme. Siç ka thënë ai, vetëm një numër i vogël i bizneseve ka ngritur padi për anulimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë.

“Ky është diskriminim. Duhet pezullim i përkohshëm i vendimit të ZRRE-së, derisa të ketë një vendim të plotfuqishëm nga gjykatat. Faktin që vetëm dy kompani lirohen ndërsa të tjerat jo, nuk mund ta quajmë asgjë tjetër përveç padrejtësi”, theksoi ai.

Kryetari i Odës Amerikane vlerësoi se në këtë proces ka munguar dialogu dhe përfshirja e sektorit privat në vendimmarrje.

“Është shqetësuese se dialogu mes sektorit privat dhe qeverisë është ndërprerë. Qeveria nuk ka shfaqur gatishmëri për të dëgjuar argumentet e kompanive, përkundrazi ka mbajtur qëndrim paragjykues ndaj tyre si një ‘klasë e privilegjuar’”, ka thënë Zeka.

Ai përfundoi duke rikujtuar se, ndonëse përfaqësojnë vetëm 1% të bizneseve, këto kompani bartin barrën më të madhe të ekonomisë së vendit dhe janë ndër kontribuuesit kryesorë në punësim.

Nga 1 qershori, bizneset me qarkullim prej mbi 10 milionë euro ose me mbi 50 punëtorë janë detyruar të zgjedhin vetë furnizuesit për energji. Bizneset që nuk e kanë zgjedhur furnizuesin, mund të lidhin kontrata me KEK-un për një periudhë deri në 6 muaj. Deri më 19 qershor, janë nënshkruar mbi 360 kontrata me konsumatorët që kanë dalë në treg të hapur e që llogaritet të jenë rreth 1 mijë e 300 biznese.