Nën patronatin e Presidentes, Vjosa Osmani, dhe në bashkëpunim me organizatën “JETA/VITA”, është mbajtur manifestimi tradicional informativo-kulturor me moton “ZBULIMI I HERSHËM – MBIJETESË”, në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, raporton Ekonomia Online.
Osmani tha se ky muaj është mbi të gjitha kujtesë për guximin dhe jetën, duke inkurajuar çdo grua që të mos ketë frikë nga kontrollet e rregullta.
“Në këtë muaj ne nuk flasim vetëm për dhimbje, por flasim mbi të gjitha për guxim. Nuk flasim për sëmundje, por flasim për jetë. Sot jemi këtu për të nderuar kauzën dhe frymën, frymën e grave që nuk u dorëzuan, që u përballën me frikën dhe e kthyen atë në forcë. Çdo kontroll, çdo ekzaminim i rregullt është një mundësi për jetë. Dua që të inkurajoj çdo grua që të mos ketë frikë nga kontrollet. Kanceri i gjirit nuk është fundi, mund të jetë një kapitull shumë sfidues”, tha Osmani.
Drejtoresha e organizatës “JETA/VITA”, Nafije Latifi, tha se kjo ditë është moment reflektimi mbi sfidat që mbeten në shëndetësi, duke theksuar nevojën për staf të specializuar, më shumë hapësira trajtimi dhe krijimin e një qendre për kujdes paliativ për pacientët në faza të avancuara.
“Konsideroj se sot është edhe një moment reflektimi, sepse përkundër përparimeve që janë evidente, ende përballemi me mungesë të stafit të mjaftueshëm, me nevojë për më shumë hapësira trajtimi, për barna më të avancuara, si dhe mbi të gjitha për krijimin e një qendre për kujdes paliativ ku pacientëve do t’u ofrohej lehtësim i dhimbjeve dhe fund më i dinjitetshëm i jetës. Pa këtë shërbim jetik shumë pacientë përballen me vuajtje të mëdha duke lënë pas familjet e traumatizuara për gjithë jetën. Nuk mund të kaloj pa e shtruar edhe pyetjen themelore për të gjithë ne, a kemi vendosur vërtet pacientin në qendër të sistemit tonë shëndetësor, apo bëjmë gjithçka që mundemi apo ndoshta na mungon empatia, përgjegjësia dhe ndjeshmëria njerëzore që shpesh vlejnë më shumë se çdo terapi”, tha ajo.
Ndërsa përfaqësuesja nga Onkologjia, Dafina Ademi, tha se Kosova dikur ka qenë në terr informativ lidhur me këtë sëmundje, por se tani është arritur përmirësim i dukshëm në vetëdijesimin dhe trajtimin e grave.
“Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë që prek gratë në Kosovë. Këtë vit në klinikën tonë janë regjistruar 330 gra si dhe tre burra të prekur me kancer të gjirit. Mbijetesa e përgjithshme më e mirë për këtë sëmundje arrihet atëherë kur kemi një menaxhim gjithëpërfshirës të saj. Ngritja e vetëdijes, edukimi shëndetësor, zbulimi i hershëm, diagnostikimi me kohë, kirurgjia e gjirit… janë hallkat e menaxhimit të kancerit të gjirit. Tani Kosova frymon ndryshe, ne mund të flasim për popull më të vetëdijshëm për të njohur shenjat dhe simptomat e kancerit, flasim për më shumë aparatura diagnostike”, tha Ademi.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje, është mbajtur edhe një marsh në sheshet e kryeqytetit, me pjesëmarrjen e dhjetëra qytetarëve, institucioneve dhe organizatave që mbështesin luftën kundër kancerit të gjirit. /EO