Arbëri

Zbritja e çmimit të naftës në bursë reflektohet ngadalë në tregun e Kosovës

Rënia e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare po reflektohet në mënyrë të ngadalshme në tregun e Kosovës.

Edhe pse sa herë që ka rritje në këto tregje ato pasqyrohen menjëherë në tabelat e pikave të karburanteve. E kundërta, nuk reflektohet kur ka rënie. Tregtarët arsyetohen me rezervat.

Sipas një përllogaritjeje të Edison Jakurtit, doktorant i ekonomisë, çmimet i një litri nafte bazuar në bursa duhet të ishte rreth 1 euro e 38 centë e jo 1 euro e 49 deri në 1 e 52, si po tregtohet tani.

“Nëse e marrim parasysh koston e përpunimit, transportit, marrim parasysh marzhën e fitimit të përcaktuar nga Qeveria në dy skenarët, atë me pakicë dhe shumicë, TVSh-në dhe akcizën, çmimi duhet të sillej nga 1 euro e 36 centë deri në 1 euro e 38 centë”, ka thënë Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë.

Çmimet e naftës filluan të rriten nga tetori i vitit të kaluar duke arritur kulmin më 8 mars të këtij viti, ku një barelë kushtonte 127 dollarë. Por, më pas pati rënie të çmimit, ku të mërkurën një barelë naftë e papërpunuar në bursa është rreth 103 dollarë apo rreth 93 euro.

Një barelë naftë ka rreth 159 litra. Kjo i bie që 1 litër e papërpunuar të kushtojë rreth 58 centë.

Por, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se çmimi i naftës në ditët vijuese do të ulët deri në 1 euro e 40 centë.

“S’ka marrëveshje për rritje as për zbritje. Shumica e kompanive janë duke punuar me humbje shkaku që kanë marrë derivate me çmim shumë të lartë dhe tash duhet të shiten me çmim të ulët. Nuk ka manipulim me çmime. Aty ku ka manipulim ju kisha lutur t’i drejtoheni hetuesisë a prokurorisë. Manipulim me çmime nuk duhet të ketë në tregun e Kosovës, sepse dihet se sa është gjendja e rëndë ekonomike. Derivatet janë shumë të larta për qytetarët tanë”, ka deklaruar Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve.

E Jakurti thekson se nga tetori i vitit të kaluar ai ka paralajmëruar për mundësitë e keqpërdorimeve me çmime jo vetëm të naftës, por edhe të produkteve të tjera në Kosovë.

“Është e vërtetë se sa herë që kemi ngritje është tendenca që arsyetohen çmimet që janë në bursë edhe pse nuk ka bursë, por kur kemi rënie kemi hezitim për t’i ulur çmimet. Ulja shkon shumë më ngadalë sesa rritja dhe kjo natyrisht me tregjet ndërkombëtare dhe teori ekonomike në Kosovë nuk është e shpjegueshme dhe nuk mund të arsyetohet përveç tendencës që tregtarët e kanë për rritjen e marzhës së fitimit”, shtoi Jakurti.

Çmimi i naftës në Kosovë është rritur edhe pas agresionit rus në Ukrainë, ku një litër naftë arriti çmimin deri në 1 euro e 80 centë.