Arbëri

Xhaferi: Fuqia e numrave po shkakton arrogancë që po i krijon përçarjet në skenën politike

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, ka deklaruar se po të kishte mundësi, do t’u kërkonte qytetarëve që të mos e votojnë LDK-ë për 51 për qind të votave.

Sipas tij, numrat do të duhej të shpërndaheshin sepse Kosova është vend demokratik dhe fuqia e numrave shkakton arrogancë. 

I ftuar në “60 Minuta” të KTV-së, Xhaferi ka thënë se arrogance po krijon përçarje në skenën politike, teksa ka vlerësuar se partia e parë duhet të jetë e pjekur politikisht.

“Zakonisht kjo fuqia e numrave po shkakton arrogancë, arroganca po i krijon përçarjet në skenën politike. Po të kisha mundësi, sot 51 për qind do t’u kërkoja qytetarëve të mos e votonin LDK-në, sepse jemi në demokraci. I pari duhet të jetë i pjekur politikisht. Numrat në kuptimin klasik janë për ndërtimin e institucioneve. Numrat do të duhej të shpërndaheshin e më pas nuk ka ego, nuk ka arrogancë”, ka thënë ai. 

Ai tutje ka thënë se beson që do të ketë reflektim në procesin zgjedhor, pasi qytetarët në këta muaj e kanë kuptuar se kush është fajtori politik në moskrijimin e qeverisë dhe institucioneve. 

“Qytetarët në këta muaj e dinë se kush është fajtori politik në moskrijimin e qeverisë dhe institucioneve dhe dëmi që u është shkaktuar atyre. Ne duhet të qetësohemi politikisht e gjithë skena politike, na ka marrë malli të ballafaqohemi me programe”, ka thekuar ai.

Derisa ka folur për zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen më 28 dhjetor, ai ka thënë se pjesa më e madhe e partive kanë qenë që 21 dhjetori të jetë data e zgjedhjeve, megjithatë “deklarata e presidentes dhe e Albin Kurtit ishin në sinkron me njëra tjetrën kur thanë se më mirë është të votohet në fund duke aluduar në pjesën e mërgatës”.