Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se Ministria e Financave përmes Thesarit ia ka transferuar Komunës së Prishtinës 28 milionë eurot nga të hyra vetanake të komunës për të cilat u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme të enjten.
“Ministria e Financave e ka kryer punën, Thesari i ka transferuar mjetet. Nesër mundet komuna e Prishtinës t’i shfrytëzojë”, ka thënë Sveçla për Kohën.
Ai tutje ka thënë se është e rëndësishme të shihet sesi do të përdoren këto mjete nga komuna, duke deklaruar se 25 milionë euro janë për investime kapitale.
Të enjten e 27 nëntorit përmes një mbledhjeje të jashtëzakonshme u është hapur rrugë bartjes së mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove.
Për votuan 38 asamblistë e një abstenoi.
Për të njëjtat mjete, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në mbledhje tha se pret që po atë ditë Ministria e Financave t’i bartë mjetet.
Kjo do t’i hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban. Transportuesit publikë kanë protestuar tash e sa ditë shkaku i borxheve nga komuna. E komuna fajësonte Ministrinë e Financave për bllokim.