Arbëri

VV-ja synon ta mbajë pushtetin në Kamenicë me Rahimajn, LDK-ja ta rikthejë Gjilanin me Ismajlin

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje të enjten ka njoftuar se Kadri Rahimaj do të rikandidojë për kryetar të Komunës së Kamenicës.

VV-ja ka shkruar në Facebook se Rahimaj e ka përkrahjen e kreut të partisë, njëherit kryeministër në detyrë, Albin Kurti, derisa tha se modeli qeverisës i kësaj partie është më i duhuri.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! në Dardanë e kudo në Kosovë me strukturat e saj organizative ka filluar punën pandalshëm për fitoret tona në komuna, që i duhen Republikës e u duhen qytetarëve, i duhen fshatrave e lagjeve të qyteteve, gjjthandej vendit. Është dëshmuar që modeli qeverisës lokal i udhëhequr nga LVV, sikurse në rastin e komunës së Dardanës, është më i duhuri. Prandaj, vazhdojmë fuqishëm përpara”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Ndërsa, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, njoftoi se në Gjilan është nominuar Arbër Ismajli si kandidat për kryetar.

Haziri, ish-kryetar i kësaj komune, ka shkruar në Facebook që Ismajli është i përgatitur dhe i guximshëm për të vepruar. Ismajli ka qenë nënkryetar i Komunës së Gjilanit kur Haziri ishte kryetar. Aktualisht në Gjilan qeveris Alban Hyseni i VV-së.

“E njoh Arbërin prej dekadash, është njeri i përgatitur, i qetë në vendimmarrje dhe i guximshëm në veprim. Është miku im dhe bashkëpunëtori i ditëve të mira e të rënda. Ka treguar se di të dëgjojë qytetarët dhe t’i shërbejë interesit publik me përulësi e profesionalizëm. Nominimi i tij është vendim i përbashkët i imi dhe i Kryesisë së Degës sonë në Gjilan, si shprehje e bindjes sonë se ai do të dijë ta udhëheqë Gjilanin me dinjitet, me përkushtim dhe me dashuri për qytetin”, ka shkruar Haziri.