Prishtinë, 10 janar - Lëvizja Vetëvendosje javën e ardhshme do ta mbledhë Këshillin e Përgjithshëm për ta shpallur Albin Kurtin kandidat për kryeministër dhe bartës të listës për deputetë. Kështu kanë paralajmëruar zyrtarë të këtij subjekti, në javën kur përmbyllet afati për certifikimin e subjekteve dhe kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit. Pavarësisht aktgjykimit të Kushtetueses, sipas të cilit iu ndalohet gara për deputetë të dënuarve në tre vjetët e fundit, VV insiston se janë brenda të drejtës që në listë të përfshihen Kurti dhe anëtarja e Kryesisë, Albulena Haxhiu.
“Pavarësisht mjegullës së qëllimshme në debatin publik mbi pasojat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ai në fakt nuk përbën asnjë mohim të së drejtës për t’u zgjedhur, përkatësisht të kandidimit në listën zgjedhore të z. Kurti dhe znj. Haxhiu, për disa arsye. Së pari, sepse rastet e tyre nuk ishin objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese. Së dyti, sepse ata nuk kanë qenë të dënuar me burg për t’u tërhequr paralelja me rastin e Etem Arifit, por kanë qenë të dënuar me kusht, pra dënim alternativ, për çka Kodi Penal nuk parashihte pasoja juridike”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i VV-së, Përparim Kryeziu.
Më 18 shtator të vitit 2018 ndaj Kurtit dhe Haxhiut ishte bërë i plotfuqishëm dënimi me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit.
Kryeziu ka thënë se standardi i pasojave juridike është parim i pacenuar juridik, dhe ai nuk mund të anulohet me asnjë vendim tjetër, përfshirë këtu edhe një vendim potencial të Gjykatës Kushtetuese.
“Z. Kurti dhe znj. Haxhiu nuk kanë asnjë dënim plotësues që shprehimisht ua ndalon kandidimin. Prandaj Këshilli i Përgjithshëm pritet që shumë shpejt të mblidhet dhe kështu të shpallet kandidatura e kryetarit Kurti për kandidat për kryeministër dhe bartës i listës së Lëvizjes VETËVENDOSJES!”, ka theksuar Kryeziu.
KQZ-ja do të bashkëpunojë me gjashtë institucione për verifikimin e kandidatëve
Por në Komisionin Qendrore Zgjedhor e kanë bërë të qartë se referencë për certifikimin e kandidatëve e kanë aktgjykimin e Kushtetueses dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Me qëllim të zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bashkëpunojë me disa institucione të cilat kanë rolin e tyre gjatë zhvillimit të periudhës së aplikimit/certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Sipas zëdhënësit Valmir Elezi, KQZ-ja do të dërgojë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në Ministri të Jashtme dhe në Ministri të Mbrojtjes, për verifikim të kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Në mesin e institucioneve me të cilat KQZ-ja do të bashkëpunojë gjatë kësaj faze të procesit zgjedhor është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Pra, në këtë institucion do të përcjellim listat e të gjithë kandidatëve për të kërkuar verifikim nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në këtë rast me germën Q të këtij ligji, ku përmendet se nuk mund të certifikohet kandidat një person i shpallur fajtor për veprën penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vjetët e fundit”, ka theksuar Elezi.
Subjektet politike duhet të aplikojnë për t’u certifikuar me lista të kandidatëve deri më 16 janar, në orën 18:00.
Në bazë të planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, Elezi ka thënë se presin përgjigje për verifikim të kandidatëve deri më 20 janar. KGJK-së do t‘i dërgohet lista me emrat e kandidatëve më 18 janar.
Koci: Kushtetuesja mjegulloi situatën, duhet qartësim
Megjithëse mund të shkaktohen vonesa në proces, avokati Arianit Koci thotë se duhen shfrytëzuar të gjitha mjetet ligjore në funksion të qartësimit të situatës me kandidatët për deputetë që janë dënuar në tre vjetët e fundit.
“Me këtë vendim më shumë ka bërë mjegull sesa ka qartësuar diçka Gjykata Kushtetuese. Në një çështje penale është Kodi Penal e jo Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kur merret parasysh Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është dashur të lexohet bashkë me Kodin Penal të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se, nuk mundet me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të ndryshohen parimet e Kodit Penal, i cili ka të përfshira edhe standardet, edhe përvojat më të mira ndërkombëtare.
“Z. Kurti është i dënuar me kusht dhe në kohën e kryerjes së veprës penale, dënimi me kusht ka qenë vepër penale pa pasojë juridike. Gjykata Kushtetuese thirret në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, por në një çështje penale nuk mund të mos merret parasysh, Kodi Penal i Kosovës, i cili në mënyrë eksplicite e ka paraparë se dënimi me kusht është vepër penale pa pasoja juridike”, ka thënë Koci, teksa ka kujtuar se në shtator të këtij viti Kurtit i kalon afati trevjeçar prej kur vepra penale është bërë e plotfuqishme.
“Në të njëjtën kohë bëhet edhe rehabilitimi ligjor, për shkak se afati i verifikimit ka qenë dy vjet dhe Kodi Penal e parasheh që një vit pas këtij afati personi i dënuar konsiderohet i rehabilituar ligjërisht”, ka theksuar Koci.
Ai e quan absurde veçmas pikën 258 të aktgjykimit.
“Që të jetë paradoksi më i madh në këtë parashihet se, personi i cili kandidon nuk bën të jetë i dënuar për vepër penal, ndërsa personi i cili ushtron detyrën e deputetit mund të vazhdojë ta ushtrojë atë detyrë nëse dënohet deri një vit me burgim efektiv. Pra, nuk janë kriteret për personin që kandidon dhe ai që ushtron detyrën si deputet”, ka thënë ai.
Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala është e pakënaqur me vendimin e PZAP-it.
Periudha e ankesave është paraparë të përmbyllet më 31 janar, në mënyrë që më 1 shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.