Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka deklaruar se ditët në vijim janë vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, duke i bërë thirrje opozitës që të paraqesë propozime konkrete.
Sipas tij, deri të martën ekziston mundësia që të dalë një emër konsensual, i cili mund të hidhet në votim në Kuvend.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ditët e mbetura janë ditët e reflektimit. Deri të martën nëse ka një emër konsensual mund të provohet të votohet presidenti/ja”, ka thënë Rexhaj në “60 Minuta” të KTV-së.
Ai kritikoi partitë opozitare për mungesë të zgjidhjeve, duke theksuar se nga ajo që ka parë, ekziston një nivel i lartë i bllokadës, veçanërisht nga Partia Demokratike e Kosovës. Ndërkohë, sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës po shmang ofrimin e alternativave konkrete. Me këto bllokada, Rexhaj thotë se opozita po e çon vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.
“LDK-ja synon të barrikadohet duke mos dhënë asnjë zgjidhje konkrete, duke folur shumë e duke mos thënë asgjë”. u shpreh ai.
Rexhaj shtoi se, pavarësisht takimeve të zhvilluara, deri më tani nuk është propozuar asnjë emër konkret nga opozita. Ai theksoi se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit i takon të gjitha partive politike.
“Në këto orë të mbetura, duhet të ketë tentativa për ta gjetur një zgjidhje. Presidenti zgjidhet me 80 vota, prandaj i takon të gjithëve përgjegjësia”, përfundoi ai.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill ta zgjedhë presidentin e ri. Ndryshe, do të ketë zgjedhje të reja parlamentare.