Lëvizja Vetëvendosje, dega në Lipjan, nëpërmjet një komunikate për media ka akuzuar Ekzekutivin e kësaj komune se po rri “symbyllur” ndaj një gurthyesi në fshatin Shalë, që, sipas VV-së, po operon jashtëligjshëm.
Rreth kësaj çështje ditë më parë edhe ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nxjerrë një aktvendim përmes të cilit ia pezullon punimet këtij gurthyesi derisa të pajiset me leje mjedisore, por sipas opozitës aktvendimet e nivelit qendror nuk po zbatohen nga ekzekutivi i komunës që drejtohej nga Imri Ahmeti.
Përkundër kësaj, sipas opozitës, kryetari Ahmeti i kishte dhënë pëlqim po të njëjtit gurthyes për kompletim të dokumentacionit.
“Në komunën e Lipjanit, më saktësisht në fshatin Shalë, gurëthyesit po vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë ilegale dhe pa leje mjedisore, përkundër kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës karshi Komunës së Lipjanit, që të ndalojë veprimtarinë e këtyre gurëthyesve. Kryetari i komunës, Imri Ahmeti, që nuk po zbaton vendimet qeveritare, u kishte dhënë një pëlqim këtyre bizneseve pa e cekur veprimtarinë që ato po ushtrojnë, duke gërryer natyrën e bukur të Shalës”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas kësaj partie, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë i Kuvendit të Kosovës, ka rekomanduar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit që gurëthyesi në Shalë të Lipjanit të ndalojë punën për shkak të ndotjes, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tash.
“Pas një peticioni drejtuar prej banorëve, Komisioni ka gjetur se lejimi i veprimtarisë në terren të këtij gurëthyesi përbën rrezikshmëri të lartë, dhe situata mund të eskalojë pasi që kanë ndodhur dy incidente më herët. Po ashtu komisioni ka konstatuar se qasja në rrugë është pa shenjëzim adekuat, aksidentet mund të ndodhin, si dhe gjatë vizitës është parë se shtëpitë janë dëmtuar dhe ato edhe më tej mund të qahen gjatë minimeve. Komisioni konstaton se nevojitet ndërhyrje e menjëhershme për ndalimin e veprimtarisë përderisa operatori nuk përmbush obligimet ligjore”, thuhet më tej në komunikatë.
Sipas LVV-së, pas dhënies së këtyre rekomandimeve dhe mos posedimit të lejes mjedisore, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka nxjerrë aktvendimin që ua ka dërguar Komunës dhe operatorëve.
“Pavarësisht kësaj, gurëthyesit edhe pa leje mjedisore po vazhdojnë punën dhe komuna e Lipjanit nuk po e zbaton aktvendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit. Zbatimi i aktvendimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit do të hidhte poshtë edhe një pëlqim që kryetari aktual i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti i kishte dhënë këtyre gurëthyesve, të cilët po vazhdojnë funksionimin dhe po e cenojnë ambientin në komunën e Lipjanit”, thuhet më tej në komunikatë.
Ndërkaq, në aktvendimin e ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, midis të tjerash thuhet se urdhërohet ky gurthyes “Të ndërpresë veprimtarinë e operimit për shfrytëzimin e gurit gëlqeror, në lokacionin e Shalës, Komuna e Lipjanit, derisa të pajiset me Leje Mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, sipas obligimeve ligjore nga ligji për Mbrojtjen e Mjedisit nr.03/L-025, dispozitat e nenit 31 dhe obligimet nga U.A 07/2017 për Leje Mjedisore, dispozitat e nenit4”, thuhet në aktvendim.
Në anën tjetër KOHA të mërkurën, ka provuar të marrë një deklaratë nga zëdhënësi i Komunës Diamant Bytyqi, por ai nuk është përgjigjur pyetje.