Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla ka diskutuar në mbledhjen e sotme për shpenzimet dhe buxhetin e këtij komisioni.
Buxheti i propozuar fillimisht në vlerë prej rreth 30.000 eurosh, pas kërkesës së deputetëve të Vetëvendosjes është ulur. Pas kësaj ankese, anëtarët e komisionit e kanë votuar buxhetin në vlerë prej 26.950 euro.
Deputeti i LVV-së, Driton Hyseni, tha se buxheti prej rreth 30.000 euro që është propozuar për komisionin hetimor, është i lartë.
Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku u kërkoi deputetëve të Vetëvendosjes të mos bëhen “shumë të arsyeshëm”. Tha se mjetet do t’i kthehen Kuvendit nëse nuk shpenzohen.
Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se në buxhet përfshihen edhe kompensimet për ekspertë.
“Nuk di si mund t'i reduktojmë sepse janë ekspertiza të shtrenjta. Nëse ka mbetur te bufeja, hiç s'ka problem. Kafet i blejmë vetë”, ka thënë ajo.
Megjithatë shpenzimet totale të bufesë të cilat u miratuan janë 230 në muaj dhe 690 pë tre muaj.
Kryesuesi i Komisionit Rashit Qalaj tha se tabelën e buxhetit e ka bërë administrata e Komisionit.
Për ekspertët që do të angazhohen nga komisioni hetimor do të vlejë thirrja për aplikim deri të premten. Paraprakisht kryesuesi Rashit Qalaj tha se komisionit i duhej një ekspert për prokurim, një për kontabilitet. Aplikimi do të jetë i hapur në mënyrë elektronike në adresën [email protected] dhe në formë fizike.
Deputetët që do ta bëjnë shqyrtimin e CV-ve janë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj - kryesues, deputeti i LVV-së Halil Thaqi dhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili. Ata do t'i përcjellin listën e plotë të aplikuesve komisionit, bashkë me propozimin e grupit punues.
{gallery}