Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës pak kohë pas emërimit ka shfuqizuar vendimin e Bordit të kaluar që vula e kësaj ndërmarrje të kthehet tek kryeshefi ekzekutiv.
Kalimi i vulës tek kryeshefi i atëhershëm Xhevdet Smakiqi është konsideruar në kundërshtim me Kodin e Etikës dhe Qeverisjes Korporative. Ky kod parasheh që përgjegjës për vulë të jetë sekretari.
Por, ish-kryeshefi Smakiqi kërkesën që e kishte bërë në fund të vitit të kaluar për kthimin e vulës në arkiv e arsyeton me dyshimet për keqpërdorim të vulës dhe joefikasitet.
“Ndërkohë që në vitin 2020 e kemi kthyer në arkiv edhe për faktin se ish-kryetari i Bordit të ndërmarrjeve publike, Mentor Arifaj, që ka qenë tani zëvendësministër, ai edhe pasi e kishte kaluar mandatin kur unë u bana kryeshef vinte dhe vuloste dokumente edhe pse nuk ishte fare anëtar i Bordit ose kryetar i Bordit të përkohshëm të drejtorëve”, thotë Smakiqi.
Aprovimin e kërkesës së ish-kryeshefit e ka arsyetuar ish-kryesuesi i Bordit, Leonard Shabanaj, duke thënë se kjo është bërë bazuar në ligjin për vula në institucione.
“Ka pasur interpretim prej zyrtarëve përgjegjëse se dikush prej ish-Bordit në kundërshtim me ligjin ka ardhur dhe ka vulosur dokumente pas përfundimit të mandatit”, tha Shabanaj.
Por, sekretari i kësaj ndërmarrjeje, Faton Ejupi, në mbledhjen kur ishte marrë vendimi që vula t’i kthehet kryeshefit kishte arsyetuar vendimet që nuk janë protokolluar.
“Sa u përket vendimeve që nuk janë protokolluar, janë dy vendime të ish-Bordit, dy procesverbale të takimit të Bordit dhe një procesverbal i komisionit të Auditimit. Kjo ka ndodhur me fajin e Bordit dhe KA-së, sepse këto janë dokumente të takimeve të fundit, pra pak orë para përfundimit të mandatit të tyre, unë i kam përgatitur, por ata nuk kanë ardhur t’i nënshkruajnë për arsye të ndryshme. Unë kam dëshmi që ju kam shkruar disa herë. Derisa unë i kam kompletuar të gjitha, por ata nuk kanë ardhur me i nënshkruar”, tha Ejupi.
Gjatë kohës sa vula ishte kthyer te kryeshefi dhe ishte caktuar përgjegjës një zyrtar nga arkivi për to, ishte themeluar Komiteti për Auditim të Institucionit Financiar jo Banka, pjesë e të cilit ishin edhe disa nga anëtarët e Bordit.
Vendimi ishte anuluar pas ardhjes së Bordit të ri, duke e konsideruar atë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së dhe se përzgjedhja e anëtarëve ishte bërë pa miratim paraprak nga ana e BQK-së.
Megjithatë, ka paqartësi sa i përket çështjes se kush duhet të jetë përgjegjës për vula në ndërmarrje publike.
Derisa Ligji për vula dhe institucione, neni 19 e përcakton se udhëheqësi i institucionit e vendos dhe e delegon personin përgjegjës për mbajtjen e vulës dhe si përdoret ajo.
Kodi i Etikës dhe i Qeverisjes së korporatave parasheh që vula e Ndërmarrjes të mbahet nga sekretari i ndërmarrjes dhe duhet të përdoret vetëm nga ai person për vulosjen e dokumenteve zyrtare.
Nga Ministria e Ekonomisë, që është monitoron ndërmarrjet publike nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me çështjen se kush duhet të jetë përgjegjës për vulat.