Arbëri

Vuçiqi i ashpër me Kroacinë e Slloveninë që mbështeten heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës

Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot në Beograd se Kroacia dhe Sllovenia kanë mbështetur propozimin për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, ndërsa Franca dhe Hungaria kanë kundërshtuar një gjë të tillë.

Vuçiq akuzoi Kroacinë se ka “strategji doktrinare për shpërbërjen e shtetit serb”, megjithëse shtoi se “iu dëshiron të mirat”. Ai po ashtu ka thënë se rrëzimi i tij nga pushteti është “qëllim prioritar i Kroacisë”, sepse sipas tij ata besojnë se ai është “gjëja më e keqe për interesat afatgjata të Kroacisë”, gjë që sipas Vuçiqit “do të thotë se jam gjëja më e mirë për Serbinë”.

“Ua uroj të gjitha të mirat. Jam i sigurt se Serbia dhe Kroacia do të duhet të kenë marrëdhënie shumë më të mira në të ardhmen”, ka thënë Vuçiq, transmeton “Direktno.rs”.

Ai u ankua se në vitin e fundit në mediat kroate janë botuar mbi 25 mijë artikuj kundër tij, ndërsa “vetëm 50 artikuj kanë qenë neutralë dhe asnjë prej tyre pozitiv”.

Vuçiq kritikoi gjithashtu faktin që në Serbi nuk po thuhet publikisht se Franca e ka mbështetur Serbinë në takimin e kësaj jave të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, duke kundërshtuar heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

“Francezët dhe hungarezët kundërshtuan dhe nuk kaloi. Të gjithë në Serbi i duan hungarezët për shkak të (kryeministrit) Orbanit, por askush nuk e thotë që francezët ishin në anën tonë – dhe ishin. Italianët dërguan letër për hapjen e Kapitullit 3 në negociatat mes BE-së dhe Serbisë. Atëherë pse nuk i tregoni njerëzve që francezët dhe italianët janë miqtë tanë, pavarësisht dallimeve për Kosovën?”, u shpreh Vuçiq.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Serbisë të mos i quajnë gjermanët “nazistë”, duke theksuar se “kjo jo vetëm që nuk është e vërtetë, por i shkakton dëm të madh Serbisë”.

Kosova është nën sanksione të BE-së që nga qershori i vitit 2023, shkaku i tensioneve në komunat veriore. Heqja e sanksioneve është kushtëzuar me transferimin e pushtetit te serbët pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, ku Lista Serbe fitoi në 10 komuna.