Arbëri

Vrasje e trefishtë nga recidivistë që u lanë të lirë

Tre persona janë vrarë të dielën në mesditë nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë treguar se të dyshuar për vrasjen janë: Mefail Shkodra dhe dy djem të tij, Edonis e Engjull Shkodra. Të tre janë në arrati. I dyshuari kryesor ka shumë raste penale, nga to edhe për fajde, detyrim e organizim të grupit kriminal. Dy ministra kanë fajësuar prokurorinë dhe gjykatat, meqë dy nga të dyshuarit u liruan nga paraburgimi pak muaj më parë

Vrasje e trefishtë ka ndodhur në Gjilan pas të shtënave me armë në drejtim të tyre mesditën e së dielës.

I dyshuar për vrasjet është 53-vjeçari Mefail Shkodra me shumë precedentë penalë, si dhe dy djem të tij, Edonis e Engjull Shkodra. Të tre janë në arrati.

Sulmi me armë zjarri ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Rugova”, rreth orës 12:34, njoftoi drejtori i Policisë për rajonin e Gjilanit, Agron Rukiqi. Ai tregoi se edhe një nga të plagosurit është në gjendje të rëndë.

“Në vendin e ngjarjes me shpejtësi kanë arritur njësitë patrulluese, ekipi i emergjencës, ku, sipas mjekut kujdestar, në vendin e ngjarjes është përcaktuar se një person ka vdekur. Dy personat e tjerë, të cilët janë transportuar në emergjencën e qytetit të Gjilanit, edhe me gjithë ndihmën mjekësore, nuk kanë arritur të mbijetojnë”, ka bërë të ditur Rukiqi, në një konferencë shtypi. “Personi i katërt është transportuar në QKUK në Prishtinë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Personi i pestë është lënduar me mjete të tjera, jo me armë zjarri, dhe është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit”.

Rukiqi nuk ka dhënë detaje mbi motivet e krimit.

“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të japim më shumë informacione”, ka thënë ai. “Jemi në procesim e sipër të të gjitha dëshmive që i kemi marrë”.

Në të njëjtën konferencë ka folur edhe prokurori i rastit, Isuf Sadiku. As ai nuk ka përmendur ndonjë motiv.

“Për motivet e këtij rasti është ende herët të dalim me ndonjë qëndrim, për shkak se ditëve në vijim do të merren në pyetje viktimat apo të dëmtuarit dhe pastaj do të shohim nëse viktimat apo të dëmtuarit na japin ndonjë sinjal apo ndonjë version të tyre, edhe ne do ta kemi ta qartë se a ka ndonjë motiv apo rasti ka ndodhur aty për aty”, ka thënë prokurori Sadiku.

Prokurori Sadiku ka treguar edhe veprimet e ndërmarra, pasi është kryer krimi. Ka folur edhe për urdhër-kontrollet, meqë ka theksuar se të dyshuarit kanë qenë të njohur për organet e rendit dhe të drejtësisë. Por, ka rezultuar që personat e dyshuar nuk kanë qenë në ato lokacione ku janë kryer kontrollet.

Tre personat janë të identifikuar nga policia, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”. Ndërkaq një tjetër person është arrestuar në vendngjarje dhe Policia ka bërë të ditur se janë duke u bërë hetimet nëse mund të ketë të bëjë me këtë rast.

Drejtori Rukiqi tha se provat e siguruara, kryesisht videoxhirime të kamerave të sigurisë, dëshmojnë se vrasja është kryer nga tre personat që janë në kërkim.

“Policia me veprimet e ndërmarra ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme me dyshimin që tre personat e përfshirë në rastin e vrasjes së rëndë e kanë kryer këtë akt. Policia ka ndërmarrë tri kontrolle me dyshimin se mund të jenë personat e dyshimtë”, ka thënë ai. “Tre persona janë shpallur në kërkim policor dhe është bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë lajmëruar pikat kufitare”.

I dyshuari kryesor, 53-vjeçari Mefail Shkodra, ka numër të madh rastesh të mëhershme.

Drejtori Rukiqi i numëroi ato.

“Prishja e rendit dhe qetësisë publike në dy raste; fajde në tri raste; mashtrim në një rast; kërcënim në tri raste; shantazh e ka një rast; detyrim në dy raste; pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal një rast”, ka treguar ai. “Ka edhe kundërvajtje komunikacioni, që në total i ka 31 sosh”.

Rukiqi është pyetur disa herë për epilogun gjyqësor për këto raste, por nuk ka folur për to. Ka thënë se policia e ka kryer punën e saj, duke bërë hetimet dhe kallëzimet penale.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shprehu indinjatën në prokurorë e gjyqtarë, pasi tha se është thellësisht i tronditur me vrasjen e trefishtë në Gjilan.

“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si prokuroria e gjyqësori, janë duke ua bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri. Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot”, ka shkruar Sveçla në Facebook.  

Ai ka thënë se është momenti i fundit që institucionet e drejtësisë të reflektojnë e të mos bëjnë tolerim për “asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale”.

Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë kritikë të njëjtë dhe ka treguar se krahas Mefail Shkodrës edhe i dyshuari tjetër, Edonis Shkodra, ka precedent penal.

“Bazuar në informacionet e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë kanë qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim, nga data 21 qershor 2024 deri më 8 tetor 2024, me ndërprerje paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë”, ka shkruar në Facebook ministrja Haxhiu. “Kjo periudhë shumë e shkurtër paraburgimi për veprat që ata dyshohen të kenë kryer tregon një problem serioz në trajtimin e rasteve nga institucionet e drejtësisë. Një qëndrim kaq i shkurtër dhe ndërprerja e paraburgimit mund të çojnë në pasoja tragjike, siç pamë sot me vrasjen e trefishtë”.

Bazuar në të dhënat që ka ndarë Haxhiu, Mefail Shkodra dhe djali i tij Edonisi u pranuan në paraburgim më 26 qershor të vitit të shkuar për veprat penale “fajde” dhe “detyrim”. Aty qëndruan më pak se katër muaj, meqë paraburgimi iu ndërpre nga Gjykata Themelore në Prishtinë. 

Haxhiu ka theksuar se sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Pas ngjarjes kanë reaguar edhe përfaqësues institucionalë lokalë e të partive politike.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se do të bashkëpunojë ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë që autorët të sillen para drejtësisë sa më shpejt. 

“Ky akt i dhunshëm dhe i papranueshëm është një plagë e rëndë për komunitetin tonë. Ju siguroj se do të bashkëpunojmë ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë, që autori i këtij krimi të sillet para drejtësisë sa më shpejt”, ka thënë Hyseni. “Gjilani është qytet i paqes dhe bashkëjetesës e ne nuk do të lejojmë që dhuna të marrë vend në jetën tonë të përditshme”, ka shkruar Hyseni në Facebook. 

Për vrasjen e trefishtë ka reaguar edhe kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri. 
“Është e dhimbshme që prej epitetit qytet i paqes e i respektit dhe qytetit pa asnjë vrasje, në vitet e fundit Gjilani është shndërruar në qytet të dhimbjes së madhe e të kronikës së zezë”, ka shkruar Haziri. “Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme.

E, drejtori i Policisë për rajonin e Gjilanit tha se rasti është i izoluar.

“Rajoni i Gjilanit është prej më të qetëve në Kosovë. Për disa vjet nuk kemi pasur raste të vrasjeve. Këto janë raste të izoluara”, ka thënë Rukiqi. “Do të ndërmerren të gjitha veprimet që personat, të cilët janë në arrati, të sillen para drejtësisë dhe ta marrin dënimin meritor”.