Edhe pse KQZ-ja ka planifikuar më shumë se dy javë kohë për votimin me postë, vonesat në dërgimin e fletëvotimeve rrezikojnë që mijëra bashkatdhetarë të mbeten jashtë procesit. Atyre nuk do të mund t’u nisen fletëvotimet para 21 dhjetorit.
Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë shtetit e që janë përcaktuar të votojnë përmes postës, do t’i kenë vetëm shtatë ditë në dispozicion për të votuar, edhe pse për ta ishin planifikuar 16 ditë kohë.
Sipas planit operacional të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votimi nis më 12 dhjetor e zgjat deri më 27.
Por, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur se fletëvotimet për diasporën do të nisen nga Kosova tek më 21 dhjetor.
“Hedhja e shortit është me datën 8 dhjetor, me datën 10 dhjetor certifikohet lista e votuesve e pas këtyre datave fillon shtypja e fletëvotimeve e që përveç shtypjes duhet të konsiderohet edhe kohë marrja e transportit derisa të vijnë në Kosovë, një ditë merr kohë... i këtyre fletëvotimeve në dërgesat individuuale te votuesit jashtë Kosovës por që ne para datës 21 ne nuk mundemi me i nis pakot me fletëvotimet”, tha Buzhala.
Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi, tha se kjo përbën mohim të së drejtës së bashkatdhetarëve për të votuar.
“Dhe çfarë mbetet në anën tjetër, te një numër i votuesve të suksesshëm mbetet veç një numër i vogël i tyre që të arrijnë ta dërgojnë me kohë zarfin me fletëvotime”, deklaroi Krasniqi.
Si zgjidhje të vetme kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, rekomandoi që shorti i subjekteve politike për rangim në fletëvotim të bëhet më herët se që është planifikuar.
“Nuk ka zgjidhje tjetër. Duhet të intervenojmë në plan operacional përndryshe shtyhet çdo afat”, tha Radoniqi.
E, përderisa janë shprehur brenga për afatet, Buzhala njoftoi se prej gjashtë ditësh Qeveria nuk ka dhënë përgjigje për buxhetin e planifikuar për zgjedhjet. Pa buxhet, tha se nuk mund të zhvillohen as aktivitetet për dërgimin e fletëvotimeve me postë.
Çështja e buxhetit nxiti polemika në mbledhje.
“Ne kemi bërë një buxhet që ia kemi dërguar Qeverisë e që sipas meje është përgjegjëse kryesore me prolongimin e proceseve zgjedhore. Tash a me qëllim a me prapavijë për me pengu procesin zgjedhor e veçmas disa operacione apo jo”, tha Ilir Gashi, anëtar i PDK-së në KQZ.
Krasniqi i VV-së tha se këtë pjesë as që do ta diskutonte.
“Qeveria nuk i ka paret qetu (e shti dorën ne xhep të setrës) dhe me i nxjerr.. Mua po të më dëgjonte qeveria, se nuk më dëgjojnë, pjesën që po e diskutojmë (shërbimin postar) që është planifikim drejt dështimit atë as që do ta diskutoja”.
Sipas kërkesës së KQZ-së, Qeveria duhet t’i ndajë 11.5 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Më shumë se 3.5 milionë euro janë paraparë vetëm për realizimin e procesit zgjedhor me postë.