Arbëri

Von der Leyen viziton Kosovën

Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të zhvillojë vizitë në Kosovë të mërkurën.

Gjatë vizitës së saj, ajo pritet të takohet me presidenten, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti nga ora 14:05 në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

Policia ka njoftuar se gjatë vizitës së Von der Leyen në Kosovë, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në mënyrë që të mundësohet lëvizje e lirë e eskortës.

Vizitën treditore në rajon ajo e filloi të hënën në Tiranë, ndërsa do ta përfundojë të mërkurën në Shkup. 

Para vizitës në Kosovë, ajo qëndroi në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi.

Kurti do ta presë Von der Leyenin në hapësirat e Kuvendit

1 o. më parë / 15 tet 2025 09:43
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta takojë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit nuk është bërë e ditur se pse ky takim nuk do të zhvillohet në objektin e Qeverisë.

Por në gusht ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e pati informuar Qeverinë në detyrë se zyrtarët e bllokut evropian nuk do të takohen në ndërtesat qeveritare derisa ekzekutivi të jetë me mandat të plotë. Në letrën e tij, ishte thënë se vendimi është marrë pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme në fund të qershorit, që pati hedhur poshtë një vendim të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke konstatuar se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.

KOHA ka dërguar pyetje në ZKM dhe të BE-së për sqarime, por ende nuk ka marrë përgjigje. 

Takimi do të mbahet nga ora 14:05.