Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka thënë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se është koha që të merren hapa konkretë.
Ajo ka thënë se duhet parë përparim në fushën e sundimit të ligjit, mediave eletronike dhe ligjin zgjedhor. E po ashtu të bëhet harmonizim më tepër në politikën e jashtme të Serbisë me atë të BE-së.
“Ne jetojmë në një botë të fragmentuar, që po zgjeron hendekun mes demokracisë dhe autokracisë. Ju e dini shumë mirë se cili është qëndrimi i BE-së, qëndrimi ynë nënkupton liri, jo shtypje, duke përfshirë të drejtën për tubime paqësore. Gjithashtu, ne mbështesim partneritetin, jo nënshtrimin, diplomacinë në vend të agresionit. Vendimi që Serbia të bashkohet me BE-në nuk ishte vetëm strategjik, por ishte dëshira e qytetarëve të Serbisë. Pothuajse dy dekada më parë, Serbia bëri zgjedhjen për t’iu bashkuar BE-së”, tha Von der Leyen në Beograd.
Ajo e ftoi Vuçiqin në Bruksel muajin e ardhshëm.
“Z. president, tash është momenti i duhur që Serbia të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit. Pika e parë është se duhet të shohim përparim në fushën e sundimit të ligjit, lirinë e medias dhe kornizën zgjedhore. Ia vlen të bësh përpjekje, sepse kështu i afrohesh qëllimit. Zbatimi është gjëja kryesore, dhe për këtë arsye do t’ju ftoja të vinin në Bruksel pas rreth një muaji”, tha ajo.
