Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vizitat e Osmanit nëpër komuna vlerësohen fushatë për kthim në garën politike

Vjosa Osmani

Takimet e ditëve të fundit të presidentes Vjosa Osmani me qytetarë nëpër komuna po vlerësohen si fushatë përgatitjeje për t’u kthyer në skenën politike. Në këto takime Osmani është shoqëruar edhe nga ish-deputetë të partisë Guxo. Në presidencë nuk kanë treguar nëse takimet janë përshëndetëse për shkak të përfundimit të mandatit të saj apo po bëhen për fushatë politike

Për tri ditë, katër vizita - në Ferizaj, Gjakovë, Suharekë e Prizren. 

Kjo ishte agjenda e presidentes Vjosa Osmani, stafi politik i së cilës, ka shpërndarë video të takimeve të saj me qytetarë nëpër komuna gjatë fillimit të javës që shkoi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një tubim me qytetarë, presidentja Osmani e ka mbajtur edhe të dielën në fshatin Sibovc.

“Qëllimi ynë është ta vizitojmë çdo lokalitet të Kosovës t’i diskutojmë hallet e dertet që i keni, e edhe ato që i ka Kosova e të dalim prej tyre faqebardhë. Ju e dini që përgjatë të gjithë angazhimit tim politik për më shumë se 20 vite çdo vendim e kemi marrë bashkë. Qëllimi është që edhe tash e tutje të shkojmë me një mënyrë të tillë të vendimmarrjes, prandaj kisha qejf që bashkë me ju të diskutojmë për këtë rrugë”, ka thënë Osmani në takimin e së dielës.

Qëllimi i këtyre takimeve nuk është treguar në Presidencë pavarësisht pyetjeve të KOHËS nëse ato janë përshëndetëse apo fushatë për ndonjë angazhim eventual politik të Osmanit pas përfundimit të mandatit në fillim të prillit.

Në këto takime, në krah Osmani kishte edhe ish-deputetë të partisë Guxo. 

Sipas Kushtetutës, presidentja nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike dhe nga kjo e drejtë është e privuar vetëm edhe dy javë, kur i përfundon mandati.

Analisti Adrian Zeqiri, këto vizita të Osmanit i ka vlerësuar si fushatë dhe përgatitje e terrenit për t’u kthyer në politikë.

“Është e qartë që shanset e saj për pas çarjes me Lëvizjen Vetëvendosje për edhe një mandat në presidencë janë të pakta, kështu që ajo është duke e përgatitë terrenin për aktivitet politik për kyçjen në procesin politik në Kosovë pas përfundimit të mandatit të saj. Kështu që, natyrisht se mund të shihen si të tilla edhe pse ato vizita duken të jenë në kuadër të mandatit të saj presidencial, mirëpo gjithsesi jemi para një situate ku gati se të gjithë partitë politike janë duke u përgatit për zgjedhje të reja”, ka thënë Zeqiri.

Pos eksponentëve të partisë Guxo që e përcollën në këto takime, deri tash janë deklaruar një pjesë e anëtarësisë së këtij subjekti se do të rreshtohen pas Osmanit në rrugëtimin e saj të ri politik.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se bashkimi me Osmanin do të ishte i dobishëm për Kosovën.
 

Zeqiri vlerëson se LDK-ja është rruga më e sigurt për angazhimin politik të presidentes në shkuarje.

“Themelimi i partive të reja është proces logjistik goxha i vështirë. Kështu që unë nuk mendoj që do të shkojë drejt themelimit të një partie të re. Shumë ma natyrshëm do ta shikoja një përafrim të saj me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Mbetet të shihet se si do të bëhet kjo dhe kush do ta marrë në udhëheqje Lidhjen Demokratike të Kosovës. Mirëpo, gjithsesi, përafrimi më i mirë, më i logjikshëm, më i lehtë i mundshëm do të ishte me Lidhjen Demokratike”, ka thënë Zeqiri.

Osmani nuk është kandiduar nga Lëvizja Vetëvendosje edhe për një mandat si presidente.

Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri, Osmani ka nxjerr dekret për të shpërndarë Kuvendin dhe ka diskutuar me liderë të partive edhe datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, këto zhvillime politike i ka pauzuar Gjykata Kushtetuese me masë të përkohshme, deri në nxjerrjen e një aktgjykimi që ose mund të japë edhe një mundësi për zgjedhjen e presidentit ose mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars.