Arbëri

Visoka: Ndërkombëtarët s’e trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur, duhet rindërtim i aleancave

Gëzim Visoka, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Dublinit, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare në vazhdimësi nuk e ka trajtuar Kosovën si shtet të pavarur edhe pse e njeh si të tillë.

Ai ka thënë se Kosova shihet nga Bashkimi Evropian si një shtet i kontestuar dhe si palë që duhet të bëjë vazhdimisht lëshime. Sipas tij, Kosova nuk trajtohet si e barabartë dhe në rrethanat aktuale shteti duhet të rindërtojë aleancat me vendet kyçe.

“Duhet ta pranojmë se ndër vite është thelluar mosbesimi mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, për faktin se bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht nuk e ka trajtuar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran edhe pse e ka njohur formalisht. Kjo është e metë e rëndësishme që e ka shikuar gjithmonë si shtet të kontestuar apo si palë që duhet të bëjë lëshime apo të pranojë më shumë kushte sesa të pranojë nga ajo kërkesa. Në rrethanat aktuale Kosova është në pozicion të vështirë, sepse po të vazhdojë refuzimin e mëtutjeshëm BE-ja apo SHBA-ja s’janë të interesuara t’i tejkalojnë këto masa kufizuese. Pra e kanë larguar Kosovën si prioritet dhe nuk e trajtojnë si të barabartë. Në këtë kontekst duhet rindërtuar aleanca me vendet kyçe”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së të enjten.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas Visokës, është një nyje e panevojshme që i është vendosur Kosovës. Ai ka thënë se duke parë këto dhe kushtëzimet tjera të BE-së ndaj Kosovës, shteti i Kosovës duhet të luftojë që “ta thyejë unitetin e BE-së” kundër Kosovës. Sipas tij, BE-ja është unike vetëm për t’i vënë kushte Kosovës dhe jo për t’i hequr ato. Visoka ka vlerësuar se  mostrajtimi si palë e barabartë nga ndërkombëtarët, origjinën e ka tek rrugëtimi i pavarësimit të Kosovës.

“Duke ditur historinë e dy dekadave e gjysmë të Kosovës nën administrim dhe mbikëqyrje të bashkësisë ndërkombëtare, dyshoj që edhe po ta pranonte Asociacionin e t’i bënte këto lëshime s’do të kishte përfundim të ndërhyrjes ndërkombëtare ose të imponimeve. Ka të bëjë më shumë me ndryshim të kulturës se si e trajtojnë Kosovën dhe si e shohin. Jam në mëdyshje nëse e shohin Kosovën si vend të pavarur, sovran dhe të barabartë”, ka thënë ai.

Këtu Visoka ka thënë se Kosova duhet ta kuptojë se “njohja nuk është e barabartë me trajtimin e barabartë”.

Ai ka vlerësuar po ashtu se Kosova nuk ka politikë të jashtme të pavarur. Shembull ka marrë “heshtjen” e Kosovës karshi zhvillimeve ndërkombëtare, e në një rast ka përmendur edhe luftën në Gazë. Sipas tij, ka qenë shkurtpamësi e shtetit të Kosovës që ka dalë në mbështetje të Izraelit. Ka thënë se është dashur të mos marrë qëndrim menjëherë, por të jetë me qëndrim më në mes, siç ka bërë BE-ja, fillimisht duke dënuar sulmin ndaj Izraelit e më pas duke dënuar vrasjen e fëmijëve palestinezë. Sipas tij, qëndrimi fillestar i Kosovës mund të ndikojë si argument nga disa shtete, nëse Kosova kërkon njohjen nga to.