Ekipet e zjarrfikësve kanë arritur ta ndalin zjarrin në Parkun e Pishave në Sllatinë të martën.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Mal Gashi, ka thënë se pas zjarrit ka mbetur tym që del nga mbetjet në brendi të zonës së djegur.
“Zjarri është shuar. Është duke dalë tym nga mbetjet në brendi të zonës së djegur. Ekipet ende janë në vendin e zjarrit dhe janë duke kontrolluar çdo hapësirë apo mundësi të rishfaqjes së zjarrit”, ka thënë ai.
Vihet nën kontroll zjarri te Parku i Pishave në Sllatinë
Një zjarr është përhapur në Parkun e Pishave në Sllatinë të martën.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Mal Gashi, ka njoftuar se është pranuar informata për zjarr rreth orës 9:30 të mëngjesit dhe se janë angazhuar 14 zjarrfikës dhe tri automjete. Ai ka thënë se ekipet ende po merren me shuarjen e zjarrit, por zjarri tashmë është nën kontroll.
"Ekipi menjëherë ka dal në vendin e ngjarjes, ku ishte përfshirë sipërfaqe e madhe nga zjarri. Kemi angazhuar personel shtesë – 10 vetë – dhe në vendin e zjarrit janë 14 zjarrfikës dhe 3 automjetet. Ekipet janë duke u marrë me shuarjen e zjarrit dhe sipas informatave tashmë është nën kontroll”, ka thënë Gashi për KOHËN.