Pyetjeve në gjuhën shqipe qytetarët serbë në Graçanicë shumicën e herëve ose u përgjigjen në gjuhën serbe ose refuzojnë të përgjigjen, duke u deklaruar se nuk e kuptojnë shqipen. Por cila është e vërteta, nuk dinë apo nuk duan të flasin shqip?”.
“Jam plak bre nuk di . (A e kuptoni gjuhën shqipe) Jo, pak krejt pak. ( Pse nuk e keni mësuar shqipen) Nuk e di çfarë po thotë. Nuk di, nuk di. Nuk po marr vesh”, thotë një person.
“Nuk e di. Nuk kuptoj shqip, nuk jam këtu për të mësuar shqip. Në shkollë nuk kam shkuar me shqiptarë, nuk kam jetuar me shqiptarë”, thotë një qytetar tjetër.
“Kurrgjo valla shqip, kurrgjo. Nuk di bash mirë. Kam jetuar 30 vjet në Matiçan, por e kam harruar, thotë tjetri.
Gjuha është një ansambël i simboleve, tingujve, fjalëve a strukturave gramatikore që shërben për komunikimin e njerëzve mes vete.
Gjuhët janë të ndryshme dhe pa dyshim trashëgimtaret më të hershme të njeriut.
Pashmangshëm, gjuha shpreh identitetin, kulturën e historinë e një populli.
Gjuhët janë ura që lidhin qytetërimet, shtojnë tolerancën e rrisin diversitetin mes popujve.
Por shkëlqimin e diversitetit brenda shtetasve të Kosovës e zbehin serbët, me apo pa qëllim.
Pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, në shifra të vogla e flasin gjuhën shqipe.
Një anketë e publikuar më 2019 nga Qendra për Iniciativë Sociale me përkrahje të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe të Ambasadës së Britanisë Madhe në Prishtinë pasqyronte se gjuhën shqipe e flasin gati 5 për qind e serbëve të Kosovës.
E kuptojnë pjesërisht 31 për qind dhe nuk e flasin fare 64 për qind e tyre.
Ndërkaq sipas anketës, 18 për qind e shqiptarëve të Kosovës flasin serbisht e gati gjysma e tyre e kuptojnë.
Sociologë, etnologë, aktivistë e ministra japin arsye të ndryshme se pse serbët që jetojnë në Kosovë në masë kaq të madhe nuk e njohin ose nuk e flasin gjuhën e shumicës. Gjuhën shqipe.
Sociologia Erisë Hajrizi thotë se ndër arsyet e para është ndikimi politik nga Beogradi zyrtar e më pas edhe njohja e gjuhës serbe si gjuhë zyrtare në Kosovë, duke u lënë atyre hapësirë që të vetëpërjashtohen nga ndërveprimi me shqiptarët edhe për shkaqe nacionaliste.
“Arsyet janë së pari do të thosha politike dhe pastaj shkojnë edhe këta faktorët e tjerë që ka të bëjë edhe hapësira urbane, vetë izolimi e të tjera të cilat i kontribuojnë këtij fenomeni kisha me thënë i cili po shprehet dhe po shihet që po ndodh. Pse, politike? Politike për shkak që edhe unë gjatë studimeve të mia e kam vërejtur që serbët janë më të izoluar dhe kjo u shërben nacionalizmit dhe identitetit të tyre si serbë. Në të njëjtën kohë kjo u lejohet dhe u garantohet me Kushtetutën e Kosovës, e cila e lejon dhe e garanton gjuhën serbe që të jetë gjuha zyrtare e përdorur edhe në institucione shtetërore të Kosovës”, thotë Hajrizi.
Etnologu Bashkim Lajçi thekson se ndikimi politik nga Serbia ka pasur këtë qëllim që t’i mbajë serbët të ndarë nga nacionaliteti shqiptar dhe mënyra e parë për ta arritur atë, sipas tij, është moskomunikimi në një gjuhë të përbashkët.
“Janë të ndërthurura disa elemente që e kanë sjellë dhe e kanë bërë situatën çfarë është sot, normalisht jo me fajin tonë, por me fajin e tyre, me fajin e shtetit të tyre amë, Serbisë. Duke u munduar me veprimet e saj është munduar të ndikojë negativisht, të bëjë përçarje mes njerëzve e kështu me radhë...Ndërhyrja e Beogradit kur them, ndërhyrje jo me qëllim të mirë edhe për vetë serbët, sepse duke futur mjete materiale, dinarin në mënyrë ilegale, duke komunikuar me struktura ilegale dhe ata duke ua imponuar atyre sjelljen sipas dëshirave të tyre dhe interesave të Serbisë, duke qenë në një ambient tjetër ku shumica dërrmuese janë shqiptarë është paksa vështirë për të mbijetuar”, thotë Lajçi.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, thotë se serbët në Kosovë janë viktimë e presionit, shtypjes dhe frikës që kanë mbjellë Beogradi dhe Lista Serbe ndaj atyre që duan ta mësojnë shqipen e të integrohen në shoqërinë kosovare.
“Unë po kritikohem që po flas gjuhën shqipe, që është absurde sipas meje. Ato kritika po vazhdojnë dhe ato kritika sa më poshtë që shkoni në shoqëri, ato veprime janë edhe më të ashpra. Çdo përdorim i gjuhës shqipe nga Lista anti-Serbe në veçanti, klasifikohet si diçka e keqe. Që për mua është pa kuptim”, thotë Rashiq.
Në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, problemi është edhe më i thelluar nga realiteti që haset në Graçanicë apo në komunat e tjera me shumicë serbe poshtë veriut të Kosovës.
Qytetarët atje jetojnë kryesisht të distancuar nga dinamikat e qyteteve shqiptare. Komunikimin vështirë që e bëjnë në një gjuhë tjetër nëse ajo nuk është serbishtja.
Shifrat e hulumtimit të QIS (Qendrës për Iniciativë Sociale) tregojnë se ata janë refuzues që të shprehin e artikulojnë mendimet e tyre në gjuhën shqipe, meqë sipas anketës serbët e shqiptarët e zhvillojnë bisedën në gjuhën serbe në 82 për qind të rasteve, në anglisht 9 për qind, në shqip 7 për qind, ndërsa në gjuhët e tjera vetëm 2 për qind.
Etnologu Lajçi thotë se vendbanimet serbe janë krijuar artificialisht pas luftës, ku serbë nga e gjithë Kosova janë koncentruar vetëm në disa hapësira, çka i ka kontribuuar më pas izolimit të tyre, e që ka prekur edhe gjuhën, edhe bashkëjetesën.
“Disa mund ta dinë dhe nuk e flasin, por disa edhe nuk e dinë. Tani në përgjithësi duhet filluar nga e kaluara, sepse serbët asnjëherë nuk kanë pasur shumë nevojë të madhe që ta mësojnë gjuhën shqipe. Në kuptimin, sepse në ish-Jugosllavi kanë pasur shtetin e tyre dhe shtetin jugosllav dhe këtu në Kosovë nuk kanë pasur ndonjë si të thuash interes apo nuk e kanë parë si diçka të domosdoshme sepse askush nuk ka kërkuar prej tyre përveç atyre të cilët kanë pasur dëshirë ta mësojnë”, thotë Lajçi.
Ekstremi i të qenit të ndarë nga shqiptarët, sipas sociologes Hajrizi ka krijuar distancë të thellë mes tyre dhe urbanizmit dhe u ka fryrë ideve që e luftojnë bashkëjetesën mes popujve.
“Komunat me shumicë serbe i gjejmë serbët në komuna të caktuara dhe jo shpeshherë të shprehura në hapësira më të frekuentuara urbane ku ka më shumë shqiptarë, ose jo vetëm shqiptarë, por ka edhe më shumë diversitet të njerëzve, e vëren që ekziston një lloj distancimi, një lloj bote, edhe idealizmi edhe kurrikule, të cilët e ushqejnë njëri-tjetrin me nacionalizëm edhe gjuhën e tyre”, shprehet Hajrizi.
Branislav Kërstiq është aktivist serb, i cili jeton në veri të Kosovës. Para luftës, Kërstiq kishte jetuar në Gjakovë. Ai edhe e njeh, edhe e flet shqipen dhe nuk shfaqet aspak refuzues ta praktikojë atë.
Përvetësimit të gjuhës shqipe, që sot i shërben në mijëra mënyra në punën e tij ditore profesionale, Kërstiq thotë se i ka paraprirë bashkëjetesa mes shqiptarëve e serbëve, për prishjen e së cilës fajin ia lë politikës.
Për të është e papranueshme të mos njihet gjuha e cilitdo shtet në të cilin jetojnë komunitetet pakicë.
“Politika e fiku atë jetën, bashkëjetesën multietnike. Para luftës, para konfliktit ne kemi pasur në baza ditore mysafirë shqiptarë në oborrin tim, në shtëpinë time, në oborrin e babait tim, që domethënë atë e kemi ndërprerë... Por ne nuk e mësojmë gjuhën, sepse respektojmë një popull tjetër. Gjuha është e nevojshme, gjuha është një rrugë më e lehtë, gjuha është përparësi dhe shpjegon një lloj integriteti tek ai njeri që është duke përdorur gjuhën e komshinjve të tij”, thotë aktivist serb.
Sipas anketës së QIS, 34 për qind e serbëve ishin përgjigjur me po në pyetjen se a duhet futur gjuha shqipe si lëndë zgjedhore.
Kërstiq rrëfen se si u motivua qysh në shkollë fillore që t’i mvishet shqipes.
Për të është tejet shqetësuese që kaq vjet pas, si serbët po ashtu edhe shqiptarët nuk e kanë në shkolla lëndën e gjuhës shqipe a serbe.
“E kemi pasur një ditë detyrën me shkrim, tema ishte pranvera. Unë shkrova më duket diku 10 rreshta dhe pas disa ditësh, javën e ardhshme, zoti Benxhiu kur hyri në klasë fjalët e para kanë qenë, Bransilav Kërstiq, eja dil para tabelës. Lexoje detyrën tënde. Kur e kam hapur atë detyrën, çdo fjalë e kam pasur me nga një intervenim të profesorit, Ll, a shkruhet me dy l, çka është ndryshe aty, i nderuari ose e nderuara, dhe në atë mënyrë edhe unë jam befasuar, por në fund të fletores ishte një pesëshe tepër e madhe me kimik të kuq. Vetëm unë e kam marrë pesë. Dhe profesori ma kujton atë deklaratën e tij, që Branislavi është shembull se si mësohet gjuha, me kapacitetin e vet. Mua më duket, nëse ai profesori ka qenë real, ajo puna ime ishte për një dysh, jo më shumë. Por, unë i vetmi kam provuar vetë”, rrëfen ai.
Ministri Rashiq thekson se një reciprocitet mes kurrikulave arsimore të sistemit shkollor shqiptar e atij serb në Kosovë për mësimin e gjuhës së njëri-tjetrit do të ishte zgjidhje më e mirë për t’i luftuar barrierat fqinjësore dhe mendësinë e luftimit të njëri-tjetrit.
Ai shpjegon se nga pozita e ministrit disa vjet më parë kishte bërë përpjekje që ta fuste shqipen si lëndë në sistemin arsimor serb, porse nuk kishte gjetur mbështetje.
Problemi ai thotë se është ndikimi i politikës për t’i emëruar drejtorët politikë dhe joprofesionalë e të pavarur nga ajo, duke lënë mundësi që ata të kontrollohen.
“Mangësi kryesore është që nuk e kemi në sistemin arsimor mësimin e gjuhës për momentin dhe kjo i distancon në njëfarë forme popujt. Shifrat që keni thënë ju pesë për qind, unë kam thënë po shpresoj që janë të vërteta se kam frikë që mos jenë edhe më të ulëta sesa keni thënë ju. Megjithatë, sa i përket mësimit gjatë shkollimit, unë diku 2010- 2011 atëherë kam qenë ministër i punës dhe u përpoqa që ta propozoja një, të them ashtu, plotësim të kurrikulës në shkolla të mesme në komuna me shumicë serbe. Fatkeqësisht shumica e drejtorëve bile nuk kanë dashur të bisedojnë për një gjë të tillë. Jo që nuk kanë dashur për shkak të vetes, sepse nga kontaktet personale pajtohen absolutisht që ka nevojë, por nga ana e tjetër kurrikula ose udhëheqja e shkollave kurrsesi nuk ka lejuar një gjë të tillë”, deklaroi ministri Rashiq.
Izolimi i serbëve në disa komuna në Kosovë, duke iu shmangur kontaktit me shqiptarët e duke i ikur mësimit a komunikimit në gjuhën shqipe, si ide për të shfaqur një lloj patriotizmi, për etnologët e sociologët ka ndikim të keq në integrimin e tyre në jetën shoqërore, profesionale e institucionale të vendit.
“Tani edhe rrethanat varësisht nga ambienti janë të tilla që mundohet në njëfarë forme duke mos folur gjuhën shqipe të tregoj një lloj patriotizmi të tyre, domethënë nën ndikimin e politikave të tyre. Por, nëse jo vetëm këta, por kushdo qoftë që mendon të bashkëjetoj në një ambient të caktuar dhe ku shumica dërmuese janë shqiptarë, atëherë deshe-s'deshe duhet ta mësosh gjuhën shqipe në këtë rast, përndryshe është pak problem komunikimi, pastaj edhe punësimi e edhe gjërat e tjera të cilat ndërlidhen me jetesën këtu në vendin tonë”, thotë Lajçi.
“Përderisa insistohet në izolim dhe e kam fjalën, kur po i referohem izolimit e kam fjalën për vetësegregim, se kjo është e qëllimshme, vetësegregohen; këtu po dua të rri, këtu po dua të zhvillohem, ky është katuni im, kjo është hapësira ime, ky është qyteti im dhe unë refuzoj me u bashku me vendet më urbane ose të tjera të Kosovës, atëherë normal që unë kam me vazhdu edhe kam me mbetë pjesë e paintegruar e Kosovës”, deklaroi Hajrizi.
Ministri Rashiq vlerëson se momenti politik aktualisht nuk është i favorshëm për ndikim të madh në ndryshim të situatës sa i përket mësimit të gjuhës.
Por, ai thotë se si fillim ka marrë vendim që barrierat e gjuhës brenda zyrtarëve të shërbimit civil në Ministri të thyhen përmes kurseve të të dyja gjuhëve që ka propozuar të mbahen dy herë në javë.
“Pra ky problem në këtë moment, siç e thashë, nuk mund të zgjidhet lehtë, së pari nuk ka gatishmëri dhe nuk mund ta vlerësoj kur mund të ndryshojë ajo qasje, e cila është e gabuar sipas meje. Dhe e dyta është që po na tregon ajo përqindja e vogël, që integrimi i serbëve në këtë rast brenda institucioneve të Kosovës është në nivelin shumë të ulët”, thotë Rashiq.
E Kërstiq thotë se serbët janë viktimë edhe e Beogradit, por edhe e Qeverisë në Kosovë, që, sipas tij, nuk po vepron asgjë në drejtim të fuqizimit të jetës multietnike.
Shton edhe një arsyeve se pse serbët jetojnë të izoluar, larg urbanizmit e integrimit.
“Në qytete nuk kemi serbë. Ajo ishte arsyeja që me planin e Ahtisaarit serbët kanë përfituar edhe disa komuna, fshatra të cilat për një natë u zhvilluan si komuna. Decentralizimi ka ardhur për atë, sepse serbët nuk kanë qenë të mirëseardhur nëpër qytete dhe ajo është një problem”, u shpreh Kërstiq.
Edhe konteksti historik, që Serbinë e njeh si agresore e Kosovën si viktimë, studiuesit thonë se e ka zor ta shpjegojë refuzimin e serbëve që ta mësojnë ose flasin gjuhën shqipe.
“Normalisht ne asnjëherë nuk kemi qenë imponues gjatë historisë në përgjithësi, mirëpo në veçanti edhe gjatë kësaj kohe nuk kemi qenë imponues ndaj të tjerëve, domethënë minoriteteve e edhe ndaj minoritetit serb në këtë rast, domethënë kemi qenë korrekt. Gjuha është vetëm një element që do të duhej të përfillej për një bashkëjetesë nëse mendojnë këtu në Kosovë. Është një diçka e domosdoshme, përndryshe në të kundërtën është problem jo vetëm për serbët, mirëpo për të gjithë popujt e tjerë”, thotë Lajçi.
Sociologia Erisë Hajrizi thotë se shteti i Kosovës bën mirë që me politikat e tij ua ka mundësuar serbëve të shprehen lirshëm në gjuhën e tyre e madje u ka dhënë edhe hapësira në institucione, porse kjo, sipas saj, duhet të shfrytëzohet nga ta në të mirë të tyre.
Për çështjen e njëjtë ajo shpalos një realitet krejt të ndryshëm në Serbi me pakicën shqiptare atje, që u është imponuar gjuha serbe dhe sërish janë të privuar nga integrimi.
“Paramendo sa interesant është kjo me u pa në Serbi, kur kishte me qenë krejt e kundërta me shqiptarët e Kosovës që gjenden në Serbi. Domethënë është e pamundur me zhvillu shkollimin, me vazhdu me bo mobilitet e të tjera në gjuhën shqipe e me përjashtua komplet gjuhën serbe”, thotë Hajrizi.
Në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës aktualisht nuk ka asnjë kurs të gjuhës shqipe.
Një i tillë kishte funksionuar disa vjet më parë, por ishte ndërprerë.
Kërstiq shprehet se pavarësisht kurseve që mund të ofrojë shteti, te popullata serbe duhet të ekzistojnë interesimi dhe vullneti për ta mësuar gjuhën që, sipas tij, në ditët e sotme të teknologjisë ka shumë mënyra.
“NGO-të kanë pasur disa projekte në fillim, mua më duket që kemi pasur dy ose tre vogëlushë, tinejgjerë të cilët kanë qenë atje dhe kemi pasur disa njerëz të punësuar nga NGO-t, kanë qenë në ato trajnime në gjuhën shqipe. Por ajo ishte një ose dy vjet dhe u ndërpre. Në shekullin 21 e kemi internetin, e kemi google translate, e voice me zë, me atë e atë, secili që do, ai mëson. E kuptueshme. Unë personalisht e humba atë theksin e gjakovarëve dhe më vjen keq pak”, thotë ai.
Mësimi dhe kultivimi i gjuhës shqipe mes komunitetit serb në Kosovë vlerësohen se do ta zgjeronin tolerancën, do ta nxisnin bashkëpunimin dhe do të kontribuonin në mirëkuptimin e njëri-tjetrit.