Arbëri

Vetëvendosja zyrtarizon koalicionin me Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në

Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar marrëveshjen e koalicionit me Listën Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke e konsideruar këtë bashkim si zotim të përbashkët politik për fazën e ardhshme qeverisëse.

Në komunikatën e VV-së të premten thuhet se ky koalicion synon forcimin e institucioneve dhe thellimin e demokracisë, duke garantuar një qeverisje që i shërben qytetarëve me transparencë dhe integritet.

“Marrëveshja e koalicionit paraqet një zotim të përbashkët për forcimin e institucioneve, thellimin e demokracisë dhe garantimin e një qeverisjeje që u shërben qytetarëve me transparencë dhe integritet. Ky bashkim hap një vizion të përbashkët dhe përcakton prioritetet që do ta udhëheqin vendin në fazën e ardhshme t qeverisjes”, thuhet në njoftim.

Vetëvendosja vlerëson se Guxo, Alternativa dhe PSHDK kanë kontribuar ndër vite në mbrojtjen e interesit publik dhe avancimin e barazisë qytetare.

“VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa dhe PDSHK janë subjekte politike që, ndër vite, kanë kontribuar në mbrojtjen e interesit publik, në avancimin e barazisë qytetare dhe në ruajtjen e karakterit republikan të shtetit. Secila prej tyre sjell vlera të qëndrueshme politike, përvojë të akumuluar dhe përgjegjësi të dëshmuar në angazhimin e tyre publik”, përfundon komunikata.