Ka përfunduar rinumërimi i votave në 185 kuti, nëpërmjet të cilit proces është audituar rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit. Në KQZ nuk folën për konstatim të ndonjë devijimi rezultat, por kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, kërkoi nëpërmjet një ankese në PZAP që të rinumërohen votat e PDK-së, pasi tha se auditimi konstatoi se atij nuk i ishin përshkruar 6 sosh. E, ndonëse procesi i numërimit zyrtarisht është përmbyllur, në Vetëvendosje nuk dhanë sinjale për negociata koalicioni me LDK-në
Ditën kur është përmbyllur procesi i auditimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u është shmangur pyetjeve të gazetarëve rreth një koalicioni të mundshëm me LDK-në.
Ndërkaq, zëvendësja e Kurtit në qeveri, Donika Gërvalla, ka thënë se Vetëvendosje do të angazhohet për bisedime me partitë opozitare për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGërvalla sot bëri thirrje për heqjen dorë nga, siç e cilëson ajo, “mentaliteti bllokues”.
“Edhe në të kaluarën jemi përpjekur edhe me LDK-në dhe me të tjerët ta zgjidhim çështjen e presidentit. Kemi pasur zgjedhje tërësisht të panevojshme, për të cilat është ditur që në fillim se nuk kanë për të sjellë ndonjë ndryshim të madh në përbërjen e kuvendit të ardhshëm. Për besë, është koha që me u ulë e me diskutu seriozisht dhe me heq dorë nga mentaliteti bllokues”, ka thënë ajo. “Qytetari e ka thënë fjalën e vet, për herë të tretë e ka thënë fjalën e vet qartë. Fituesi i këtyre zgjedhjeve po shihet. Po presim rezultatet zyrtare, po presim certifikimin e tyre dhe po dua të besoj që ishte hera e fundit që shkojmë në zgjedhje të panevojshme dhe, në fakt, edhe joracionale dhe jo të kuptueshme për qytetarët”.
Gërvalla ka theksuar se hapat e ardhshëm do të diskutohen fillimisht brenda koalicionit, e më pas edhe me partitë opozitare.
“Se cilët do të jenë hapat që do të ndjekim, do të ulemi së pari brenda koalicionit dhe do t’i diskutojmë, e pastaj do të ulemi të diskutojmë edhe me partitë opozitare. Do të jemi përsëri të përkushtuar dhe të angazhuar që të gjejmë mënyra për t’i qartësuar. Zgjidhja apo jo, njeriu kur hyn në negociata hyn me vullnetin për të gjetur zgjidhje, të cilën unë nuk mund ta paragjykoj sot, sepse në bazë të deklarimeve në media po duket sikur po. Të ngjashme i kemi pasur, faktikisht, edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka theksuar se këto diskutime nuk bëhen me mediat, por me partnerët potencial për çka, siç tha, po angazhohen seriozisht, por vlerësoi se opozita nuk duhet të vendosë kushte para nisjes së negociatave.
Aleatja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë të ditura qëndrimet ditën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar rinumërimin e kutive të 185 kutive që u përkasin vendvotimeve të zgjedhjeve të 7 qershorit. Rinumërimi është bërë për të audituar rezultatin e numërimit dhe ky proces nuk ka treguar për deformim të ndjeshëm rezultati.
Me këtë hap të përfunduar, KQZ-ja tani është teknikisht e gatshme në kohë, për shpalljen e rezultateve përfundimtare, bëri të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
“Me përfundimin e rinumërimit, mund të konstatojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur administrimin e procesit që përfshin aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit, si dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka thënë Elezi.
Ai ka bërë të ditur se të dhënat nga ky proces i rinumërimit janë përditësuar në platformën e KQZ-së për rezultatet.
Megjithatë, sipas tij, para shpalljes së rezultateve përfundimtare duhet të përfundojnë afatet ligjore për paraqitjen e ankesave lidhur me procesin e numërimit dhe rinumërimit.
“Por, siç e kemi shpjeguar edhe më herët, duhet të presim nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit nga dita e fundit në QNR, e cila ishte dita e mërkurë, 17 qershor, afat i cili përfundon sot, e premte. Gjithashtu, KQZ-ja do të presë nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e rinumërimit, i cili është zhvilluar gjatë këtyre dy ditëve këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pra proces i cili është përmbyllur sot, më 19 qershor, në orën 12:00”.
Një ankesë është paraqitur në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Atë e ka bërë kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, i cili ka kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të partisë që i përket. Bazuar në rezultatin e deritashëm, ai është kandidati me më së shumti vota prej atyre që nuk kanë arritur të bëhen deputetë të legjislaturës së re. Ka 102 vota më pak se Rrustem Mustafa.
“Kjo kërkesë nuk bazohet në supozime apo pakënaqësi me rezultatin, por në fakte të konfirmuara nga vetë procesi i rinumërimit të zhvilluar nga KQZ”, ka thënë ai. “Rinumërimi i vetëm 185 vendvotimeve, që përfshin rreth 3.52% të votave të PDK-së, dëshmoi se kishte gabime në numërimin fillestar. Edhe në këtë mostër të kufizuar, më janë shtuar 6 vota që nuk ishin numëruar më parë. Kur diferenca ndërmjet kandidatëve është vetëm 102 vota, çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar”, ka thënë Haxhiu.
Ai ka theksuar se vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka fituar besimin e qytetarëve dhe që çdo votë të numërohet saktë.
“Besimi në procesin zgjedhor ndërtohet mbi transparencën, ligjshmërinë dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve. Pres që PZAP-i ta shqyrtojë këtë ankesë në mënyrë të paanshme dhe të marrë një vendim që garanton integritetin e zgjedhjeve dhe mbrojtjen e çdo vote”, ka thënë Haxhiu. “Bazuar edhe në procesin e kaluar zgjedhor ku unë kam identifikuar dhe paraqitur me fakte manipulimin e procesit zgjedhor me 28 dhjetor 2025, edhe ky proces ka deformime, prandaj kam parashtruar ankesë në PZAP”.
Deformimet në rezultate për të cilat ka folur Haxhiu, nuk janë publikuar nga KQZ-ja.
E, zëdhënësi i këtij institucioni ka thënë se një pasqyrë mbi gjetjet e secilit vendvotim do ta hartojë Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.
“Për procesin e rinumërimit, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të përgatisë një raport të detajuar lidhur me gjetjet për secilin vendvotim, sepse, siç dihet, qëllimi i rinumërimit është pikërisht që të sigurohemi se procesi i numërimit të fletëvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit është zhvilluar me saktësi, ashtu siç është vullneti i votuesve i shprehur në fletëvotime”, ka thënë Elezi.
KQZ-ja përsëriti se para shpalljes së rezultateve përfundimtare do të kërkohet konfirmim nga PZAP-ja për ekzistimin eventual të ankesave në procedurë.
E, konstituimi i institucioneve nuk mund të nisë, pa u përmbyllur procesi i numërimit, përkatësisht jo para certifikimit të rezultatit. Megjithëkëtë, negociatat e mundshme për koalicion, mund të zhvillohen edhe në këtë kohë.
Një nga kushtet për koalicion të mundshëm që eksponentë të opozitës kanë përmendur, është përfshirja e Kosovës në projektet e gazit të lëngshëm natyror (LNG) amerikan.
Lidhja Demokratike, zyrtarë të lartë të së cilës kanë shprehur gatishmëri për negociata koalicioni, kanë premtuar në fushatë edhe termocentral me gaz, që do të vendosej në Ferizaj, jo larg kufirit me Maqedoninë e Veriut, nga ku mund të lidhej Kosova me projektin amerikan.
Deri tash, kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk ka shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në projekt, pavarësisht apelit që së fundmi e ka bërë Ambasada Amerikane.
Por, të premten, Gërvalla ka pohuar se qeveria ka diskutime me SHBA-në rreth çështjes së gazit, por ka theksuar se, kjo temë është mes shumë të tjerave që diskutohen me vendet aleate.
Siç ka thënë ajo, vendimet i marrin duke u bazuar në interesin e Kosovës.
“Ne kemi diskutime jo vetëm rreth gazit por edhe rreth shumë temave të sigurisë me të gjithë aleatët tanë, jo vetëm me SHBA-në dhe ne kemi treguar gjatë pesë viteve të fundit se me shumë përgjegjësi dhe seriozitet që jo vetëm që diskutojmë, por edhe marrim vendime bazuar në interesin e Kosovës”, ka thënë Gërvalla.
Së fundmi është bërë thirrje që institucionet e Kosovës të veprojnë shpejt për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar si të domosdoshëm për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik.
Madje, nga odat ekonomike në Kosovës është thënë se refuzimi i gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin me SHBA-në.
Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook më 28 maj, theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të bashkëpunuar me Kosovën në avancimin e zgjidhjeve energjetike të sigurta dhe të diversifikuara, si dhe për të tërhequr investime të ardhshme”.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur synimin ta ndryshojnë mënyrën se si furnizohet me energji Ballkani Perëndimor, duke bërë një rrjet marrëveshjesh për importin e gazit të lëngshëm.
Qëllimi është të ulet varësia e rajonit nga Rusia dhe të forcohet korridori energjetik nga jugu drejt Evropës Qendrore.
Për këtë, janë planifikuar projekte në disa vende të rajonit - nga Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, deri në Kosovë dhe në Serbi.
Këto projekte përfshijnë gazsjellës të rinj, terminale për gazin e lëngshëm dhe termocentrale me gaz, dhe mbështeten politikisht dhe financiarisht nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit dhe mbështetet plotësisht në termocentralet me qymyr.
Projekti për një interkonektor gazi me Maqedoninë e Veriut është përfshirë më herët në planin investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, por është ndalur për shkak të, siç kanë thënë nga Qeveria, kostove të larta dhe fokusit strategjik në burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Tubacioni do t’i jepte Kosovës qasje në gaz nga terminalet greke të LNG-së në Detin Egje, dhe ideja ishte të ndërtohej edhe një tubacion drejt Shqipërisë.
Kosova ka refuzuar të investojë rreth 200 milionë dollarë amerikanë në infrastrukturën e gazit përmes programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe i ka devijuar fondet në sistemet e ruajtjes së energjisë në bateri.