Dhjetë milionë euro është shuma që Qeveria e Kosovës ka paraparë t’i ndajë për blerjen e objekteve për misionet diplomatike. Përpjekje për blerjen e tyre ka pasur që prej shpalljes së pavarësisë, por deri tash vetëm Ambasada në Bruksel dhe ajo në Tiranë janë të vendosura në objekte që i ka në pronësi shteti i Kosovës. E, shuma e qirasë vjetore që aktualisht paguan Qeveria për 51 misione diplomatike dhe konsullore është 3 milionë e 241 mijë euro
Qeveria synon blerjen e pronave jashtë vendit, të cilat do të shërbejnë për misione diplomatike, duke i ndarë 10 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Që prej shpalljes së pavarësisë janë hapur 51 misione diplomatike, derisa përpjekje për blerjen e objekteve për ambasada ka pasur edhe më herët.
Por prej vitit 2008 vetëm dy prej tyre janë të vendosura në objekte mbi të cilat ka pronësi shteti i Kosovës. Është Ambasada e Kosovës në Bruksel dhe ajo e Kosovës në Tiranë.
Në objektin e Ambasadës, të cilin Shqipëria ia ka falur Kosovës ndodhet edhe Konsullata e Përgjithshme.
Aktualisht mbi 270 mijë është shuma mujore që paguan Qeveria për objektet e misioneve diplomatike. Mbështetur në listën që ka siguruar KOHA, totali i shumës vjetore për qiratë e misioneve diplomatike është 3 milionë e 241 mijë euro.
Rekordin e mban Konsullata e Kosovës në Nju-Jork, për të cilën Ministria e Punëve të Jashtme paguan qira mujore prej 20 mijë e 412 eurosh.
Kurse objekti i Ambasadës në Uashington i kushton buxhetit mbi 13 mijë euro në muaj.
Pas SHBA-së, qiratë më të shtrenjta janë në Gjermani, ku përveç Ambasadës funksionojnë edhe pesë konsullata të përgjithshme. Për Ambasadën në kryeqytetin gjerman në muaj paguhen 13 mijë e 82 euro. Por qiraja më e shtrenjtë është për Konsullatën në Dyseldorf – 13.310 euro.
Rreth 10 mijë euro i kushton buxhetit qiraja mujore për objektin e Konsullatës në Hamburg, e cila ndodhet në njërën prej rrugëve më të shtrenjta të këtij qyteti.
Izraeli është shteti i fundit me të cilin Kosova vendosi marrëdhënie diplomatike, me kushtin që Ambasada të vendosej në Jerusalem. Qiraja mujore për këtë objekt është 11 mijë e 600 euro.
Sipas listës, më i liri del të jetë objekti ku është e vendosur Ambasada e Kosovës në Ankara, për të cilën paguan 935 euro.
Pas miratimit të Projektbuxhetit të premten, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ambasadat do të blihen nga vendet aleate.
“Sa i përket çështjes së ambasadave ne po i ndajmë 10 milionë për vitin e ardhshëm dhe do ta shohim se çka është më së miri të blejmë për ambasadat nga vendet aleate. Ngadalë por sigurt e qe besa edhe jo aq ngadalë do të fillojmë me blerjen e këtyre ambasadave në vendet mike”, ka thënë Kurti.
E, ish-ambasadori Avni Spahiu, që ka shërbyer në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi, ka thënë se përpjekjet për blerjen e objekteve për ambasada kanë nisur që prej shpalljes së pavarësisë.
“Kjo çështje është shqyrtuar edhe në të kaluarën, sidomos në fillim të hapjes së misioneve tona, ku çdo gjë bëhej me entuziazëm dhe në këtë aspekt është biseduar atëherë për blerjen e ambasadave, por për fat të keq nuk u realizua. Duhet ditur po ashtu se është një veprim që ka kosto, jo vetëm të blerjes por edhe të mirëmbajtjes e gjërave të tjera, ndonëse është mirë që të kemi ndërtesa të ambasadave tona në disa qendra të mëdha si: Nju-Jork, Berlin, Londër, Bruksel”, ka theksuar Spahiu. “Kjo çështje kërkon angazhim serioz jo si më parë kur provuam por nuk u bë asgjë. Më kujtohet në atë kohë kur disa herë erdhën delegacione nga Kosova për të shqyrtuar blerjen e objektit në Uashington. Ne e gjetëm atëherë një ndërtesë me çmim relativisht të mirë, por pastaj kjo çështje mbeti dhe nuk kishte asnjë shpjegim pse nuk vazhduam me përmbylljen e saj”.
Sipas tij, edhe Turqia kishte ofruar reciprocitet në çështjen e ndarjes së tokës për ambasadat respektive. Por marrëveshja, siç ka thënë Spahiu, kishte dështuar për shkak të neglizhencës nga pala kosovare, ku Komuna e Prishtinës nuk kishte ndarë truallin për Ambasadën turke.
“Ministria turke pati dhënë premtim që në kuadër të një reciprociteti ta kemi ne një vend për ndërtimin e Ambasadës, por edhe kjo nuk u realizua. Duhet të them se ka qenë kryesisht ndoshta për shkak të neglizhencës nga ana jonë, sepse ata prisnin reciprocitet, pra që t’i ndajmë një hapësirë për Ambasadën turke, në këmbim të dhënies së truallit në Turqi, por Komuna e Prishtinës nuk e bëri”, ka potencuar Spahiu.
Kosova, po ashtu, ndan hapësira të përbashkëta me misionet e Shqipërisë në Kambera, Milano, Munih e Kopenhagë.
Aktualisht ekziston një rregullore për procedurat e blerjes dhe marrjes me qira të objektit për misione diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
Kontratat për marrje me qira të objektit për banim nënshkruhen nga shefi i misionit diplomatik ose konsullor dhe nga përfaqësuesi diplomatik ose konsullor (shfrytëzuesi).
“3. Komisioni profesional për blerjen e objekteve për mision diplomatik ose konsullor është kompetent për identifikimin e objekteve të përshtatshme për ambasada, zhvillimin e negociatave dhe përzgjedhjen finale të objektit”, thotë Rregullorja.
Ligji po ashtu kërkon që objektet të jenë të përshtatshme për funksionin dhe qëllimin që iu shërbejnë.
Sipas ligjit, flamuri dhe stema shtetërore gjithmonë vendosen në ndërtesat e përfaqësive të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe në mjetet e transportit.
“7.1 Flamuri shtetëror gjithmonë vendoset: c) në ndërtesat e përfaqësive të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe në mjetet e transportit, të cilat i përdor udhëheqësi i përfaqësisë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, në përputhje me dispozitat ndërkombëtare, në të cilin është përfaqësia, përkatësisht në përputhje me rregullat dhe praktikat e organizatës ndërkombëtare, pranë të cilës është përfaqësia; dhe d) gjatë festave zyrtare të Republikës së Kosovës”, thotë ligji.
Por në të kaluarën ka pasur misione që janë vendosur në objekte edhe të papërshtatshme e simbolet nuk kanë qenë të dukshme. E tillë ka qenë edhe Konsullata e Kosovës në Frankfurt, e vendosur në katin e 14-të, bashkëngjitur me një objekt hotelier.