Vetëm 40 inspektime janë kryer gjatë këtij viti nga Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Tregtisë për verifikimin nëse operatorët ekonomikë kanë vendosur etiketa me flamujt e vendeve të origjinës së produkteve. Gjatë inspektimeve, Inspektorati ka hasur në produkte pa tiketa dhe për këtë ka gjobitur 25 markete. Por organizatorët e fushatës “Bojkoto produkte serbe” i kualifikuan të pakta inspektimeve e, krahas shtimit të numrit të tyre, kërkuan edhe masa ndaj manipuluesve
Aktivizimi i fushatës “Bojkoto produktet serbe” ka nxjerrë në pah manipulime dhe mungesën e vendosjes së flamujve të vendit të origjinës në produktet nëpër rafte.
Në rrjetet sociale janë publikuar fotografi të shumta të produkteve me origjinë nga Serbia, pranë së cilave është vendosur flamuri i Kosovës apo i shteteve të tjera.
Për këto parregullsi, në Inspektoratin e Tregut kanë thënë se janë gjobitur 25 operatorë ekonomikë.
“Inspektorati i Tregut, krahas inspektimeve të tjera të realizuara sipas planit të punës, ka inspektuar edhe operatorët ekonomikë me qëllim të verifikimit nëse kanë vendosur etiketën, e cila tregon flamurin e shtetit të origjinës së produktit. Me këtë rast vetëm për aspekt janë inspektuar mbi 40 operatorë ekonomikë. Inspektorati i Tregut ka hasur në produkte që nuk kanë pasur të vendosur etiketën e lartcekur dhe për raste të tilla marrim masa konform ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Organizatorët e fushatës “Bojkoto produktet serbe” i kërkuan Ministrisë së Tregtisë që t’i shtojë inspektimet rreth flamujve të vendit të origjinës të vendosura pranë produkteve.
Gjatë takimit të së martës me ministren Rozeta Hajdari, ata paraqitën edhe kërkesa tjera.
“Si kundërpërgjigje ndaj barrikadave të vendosura në veri, të vendoset taksa 100 për qind për produktet serbe sikurse ka qenë në kohën e Qeverisë Haradinaj dhe pasi të hiqen barrikadat, ato që po dihet se po dirigjohen nga Beogradi, të rishqyrtohet masa 100 për qind për produktet serbe”, ka thwnw organizatori i fushatws “Bojkoto produktet serbe”, Burim Piraj.
Ai ka thënë se fushata do të vazhdojë për një periudhë 5-vjeçare.
“Sa herë po ka tensione në veri qytetarët po motivohen për të mos blerë produkte serbe, por është fatkeqësi që kur kalojnë tensionet edhe qytetarët vihen në gjumë dhe në mënyrë të qetë vazhdojnë të blejnë produkte serbe... Ne do të vazhdojmë që në mënyrë paqësore t’i vetëdijesojmë qytetarët për krejt pasojat që mund t’i ketë vendi ynë nga produktet të cilat importohen nga Serbia”, ka theksuar Piraj.
Gjatë nëntor, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej mbi 31 milionë eurosh. Shuma është për 3 milionë euro më e ulët sesa në tetor, porse për 3 milionë më shumë se në nëntorin e vitit të kaluar.