Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka njoftuar se nga 22 mijë e 585 mësimdhënës, vetëm 0.4 për qind prej tyre nuk janë përfshirë në grevën e përgjithshme.
KOHA ka siguruar njoftimin që SBASHK-u ua ka përcjell krerëve sindikalë të komunave të Kosovës të hënën, ku bëhet e ditur se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka dërguar shkresë tek Avokati i Popullit.
BSPK-ja ka kërkuar që rritja e pagës nga shtatori të jetë për 9.5 për qind dhe shtesa prej 50 eurove të jepet deri në dhjetor, kurse nga muaji janari i vitit 2023, të ketë rritje të pagës aq sa ka rritje ekonomike. BSPK-ja kërkoi që të merren parasysh edhe vërejtjet e sindikatave mbi Ligjin e Pagave si dhe në Ligjin e Zyrtarëve publikë.
“2. Ligji i skemave pensionale të financuara nga shteti të bëhet plotësim-ndryshimi duke eliminuar kërkesën e 15 vjetëve si kontributdhënës para vitit 1990, gjegjësisht 1999 për arsimin. Deri në fund të nëntorit 2022. 3. Deri në fund të vitit 2022 të miratohet plotësim-ndryshimi i Ligjit të sigurimeve shëndetësore ose në të kundërtën të fillojë zbatimi i Ligjit aktual të sigurimeve shëndetësore nga janari i vitit 2022”, thuhet në kërkesat e parashtruara nga BSPK-ja për Avokatin e Popullit.
Ndërsa, SBASHK-u tha se kërkesat pritet të realizohen me ndërmjetësimin e Avokatit, duke përfshirë edhe ndërmjetësimin e drejtoreshës së Unionit të Sindikatave Evropiane të Arsimit, Susan Flocken. Takimi i Flocken me kryeministrin, sipas SBASHK-ut, pritet të zhvillohet të mërkurën.
Nga të dhënat e fundit, del se në vitin shkollor 2020/21 ishin 22.585 mësimdhënës në sistemin publik, e 0.4 për qind e kësaj shifre i bie të jetë 90.
Pra rreth 90 mësimdhënës kanë ndërprerë grevën në disa shkolla apo në 1.5 për qind të shkollave në nivel vendi.
Mësimdhënësit së bashku me punonjësit e administratës publike kanë hyrë në grevë nga 25 gushti me kërkesën që deri në miratimin e Ligjit të pagave t’u ndahen nga 100 euro shtesë në muaj.
Qeveria ka ofruar për tre muaj nga 50 euro, por kjo ofertë nuk është pranuar.