Vërshimet e fundit në Kosovë shkaktuan dëme të mëdha sidomos në komunën e Rahovecit, Drenasit e Malishevës. Megjithëse më pak, edhe Prishtina u prek nga këto vërshime.
Megjithëse ende nuk dihet saktë, dëmet ekonomike familjare e në infrastrukturë rrugore janë dëmet më të mëdha në kryeqytet.
Komuna e Prishtinës tashmë ka hapur thirrjen për dorëzimin e kërkesave për dëmshpërblim për qytetarët që janë prekur nga këto reshje.
Drejtori i Emergjencave ka thënë se në bazë të asaj që kanë parë në terren, dëmet janë më të vogla krahasuar me përmbytjet e vitit 2023-2024.
“Prishtina nuk e ka pas sasinë e reshjeve që e kanë pasur komunat e tjera, por edhe investimet që janë bërë në brigadën e zjarrfikësve në shërbimet emergjente kanë kontribuar edhe ato në zvogëlimin e dëmeve që janë bërë. Për momentin jemi në fazën fillestare të pranimit të dokumentacionit për kërkesat për dëmshpërblim nga qytetarët. Është herët të flitet se sa ka pasur dëm pasi që komisioni duhet të dalë edhe në vendin e ngjarjes, por parallogaritjet tona në bazë të rasteve që kemi trajtuarderi tani si në rimëkëmbje, pastrim të rrugëve ku ka pas rrëshqitje të dheut dhe këto dëme janë më të vogla nëse e krahasojmë me vitin 2023 dhe 2024”, ka thënë Lulzim Fushtica.
Si pasojë e vërshimeve në Prishtinë janë evakuuar 6 familje të cilat janë zhvendosur në banesa me qira deri në rinovimin e shtëpive të tyre.
“Kemi dëme edhe në bujqësi kryesisht pasi është sezoni e dimrit. Nuk mund të flasim saktësisht se për çfarë dëme bëhet fjalë, por dëmet më të mëdha kanë qenë në ekonomitë familjare siç e dini ne i kemi evakuuar 6 familje në Kodrën e Trimave, në Emrshir dhe në lagjen e Spitalit të cilat tani janë në banesa me qira të cilat i paguan kryeqyteti deri në rinovimin e shtëpive të tyre. Ndërsa pranë atyre familjeve kemi organizuar edhe në Kryqin e Kuq të Kosovës t’u shpërndajnë pako ushqimore, higjienike këtyre familjeve. Kemi pasur dëmtime edhe në infrastrukturë. Kemi ende kemi mundësi të fusim në buxhet për këtë vit edhe ato problemet më të vogla, pasi që buxheti për këtë vit nuk është miratuar ende”, ka shtuar ai.
Një nga familjet e prekura i vizitoi edhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama.
Sa u përket vërshimeve në këtë pjesë, Rama ka thënë se situata e krijuar është edhe për shkak të ndërtimeve pa leje.
“Në bazë të analizave po vërehet qartë se ka probleme të shkaktuara nga vetë njeriu. Nga ndërtime pa leje në një zonë që vërshohet lehtë sepse kemi këtu afër një lumë, një përroskë, që është bllokuar dhe për shkak të bllokimit krijohen edhe probleme të tjera e këto janë raporte për të cilat do të merremi tash për të gjetur zgjidhje”, ka thënë ai.
Pasi të përfundojë pranimi i kërkesave për dëmshpërblim, komisioni për vlerësim të dëmeve nga Komuna e Prishtinës do të dalë në terren për vlerësim të dëmeve. Raporti i përgatitur do t’i dorëzohet Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave dhe pagesa do të bëhet nga ana e Qeverisë.