Mbi 200 ankesa nga konsumatorët janë drejtuar brenda 13 ditësh në Ministrinë e Tregtisë, nën dyshime për abuzime me çmime dhe shkelje të tjera nga bizneset. Inspektorati i Tregut ka paralajmëruar kontrolle më të rrepta nga e hëna. Ndërkohë ekonomistët i shohin paksa të vonuara masat e Qeverisë për mbrojtjen e konsumatorëve
Prishtinë, 13 mars - Dyshimet për abuzime me çmime dhe mospërputhja e tyre me çmimet tek arka, ka shtyrë konsumatorë të shumtë që t’i drejtohen Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Ankesat janë shtuar nga fillimi i marsit, ku për shkak të luftës në Ukrainë pati rritje drastike të çmimeve. Brenda 13 ditësh u drejtuan mbi 200 ankesa, 40 prej të cilave kanë të bëjnë me tregti.
Vetëm pas raportimeve në media për dyshimet për abuzime, pati ndërhyrje nga Inspektorati i Tregut, bashkë me inspektorët e ATK-së dhe ata komunalë, që shqiptuan 20 gjoba, 4 inicime të procedurës për kundërvajtje si dhe 9 sekuestrime.
Por, sipas Ujkan Bajrës, profesor në Universitetin e Prishtinës, Qeveria është vonuar me veprime dhe nuk ka plan konkret që të parashikohen masat para krizave eventuale, e jo krizat t’u paraprijnë veprimeve të Qeverisë.
“Mendoj se duhet të merren masa parandaluese për të kufizuar mundësitë e spekulimit të çmimeve siç e pamë në disa prej produkteve bazë në ditët e fundit. Lind pyetja hipotetike: Kush i rimburson konsumatorët për rritjen ‘artificiale’ të çmimit të vajit apo miellit në ditët e fundit me mbi 130 për qind të çmimit real të tregut? Të mos harrojmë, të njëjtat biznese gjatë periudhës së pandemisë kanë marrë miliona subvencione nga shteti dhe ky fenomen i tyre është i pandershëm të ndodhë tash”, ka thënë Bajra.
Ai e sheh të nevojshme intervenimin përmes politikave fiskale në kontrollim të inflacionit, me kusht që të hyrat fiskale të mos ndikojnë në buxhetin e shtetit.
“Kosova importon mallra jobazike dhe për mua personalisht rritja e taksës për cigaret apo makinat me djegie është shumë më logjike, sesa mbajtja e ngarkesave fiskale në nivelin aktual të produkteve joluksoze”, ka thënë ai.
Thotë se individët ose subjektet ligjore jo rrallë herë përdorin krizat për të rritur përfitimet e tyre personale.
“Kjo situatë, përveçse është e paligjshme, duhet të monitorohet nga afër dhe në vazhdimësi nga institucionet shtetërore. Qeveria duhet të kujdeset që çmimet për gjërat elementare, përdorimi i të cilave është i përditshëm, të kenë monitorim të rreptë në mënyrë që të krijohet ndjenja se dikush kujdeset edhe për të drejtën e konsumatorëve, por kuptohet pa cenuar parimin e ekonomisë së tregut”, ka theksuar Bajra.
Se Qeveria është vonuar me veprime e thotë edhe profesori Nagip Skënderi. Ai shton se qeveria nuk është e përgatitur për ta përballuar krizën e shkaktuar në vend si rrjedhojë e agresionit rus në Ukrainë.
“Në rastin konkret janë derivatet e naftës, gruri, mielli dhe produktet e saj, vaji dhe sheqeri të cilat janë me rëndësi strategjike për shportën e konsumatorit, të cilat veç kanë filluar të ngrihen dhe janë të papërballueshme për konsumatorin. Në këtë kontekst nuk mund të themi që kemi qenë të papërgatitur në aspektin e njohjes dhe dijes që do të vijë kjo krizë, por ndoshta të papërgatitura kanë qenë Qeveria dhe institucionet, po ashtu edhe bizneset të cilat paraprakisht nuk janë siguruar me sasi më të mëdha të këtyre produkteve strategjike”, ka thënë Skënderi për KSP-në.
Ndërkohë, zëvendëskryeinspektorja e Inspektoratit të Tregut, Lebibe Haliti, ka thënë se të hënën do të ketë shtim të inspektimeve në të gjitha komunat.
“Inspektimet do të vazhdojnë dhe do të shqyrtohen ankesat që janë drejtuar nga konsumatorët edhe për produktet e tjera. Në çdo rast kur konstatohen shkelje, do të merren masa ndëshkuese”, ka theksuar Haliti.
Të premten Inspektorati ka mbyllur përkohësisht dy depo të supermarketeve në Fushë-Kosovë dhe në Graçanicë. Në to janë gjetur 126 mijë shishe vaj, për të cilat nuk ka pasur dokumentacion.
Ritmi i rritjes së çmimeve, sipas ekonomistëve, ndikohet nga luhatjet në tregun botëror, por që në Kosovë çmimet janë rritur edhe nga tregtarët për përfitime. Sipas tyre, inspektorët duhet t’i kontrollojnë këto çmime, siç kanë thënë të paligjshme dhe të pandershme.
“Qeveria duhet të ofrojë siguri të arsyeshme se rritja e çmimeve të produkteve bazë nuk është rezultat i spekulimeve të brendshme, por përfundimisht vjen si pasojë e rritjes së çmimeve në tregun botëror. Qeveria duhet të shtojë masa shtesë për t’i kontrolluar çmimet e vendosura dhe për t'i rikthyer ato në nivelin që ishin para se të fryheshin. Për shembull, nëse vaji ushqimor ka pasur një çmim prej 1.80 eurosh para dy-tri javëve, është e rëndësishme të ndikohet që çmimi i tij të kthehet në nivelin fillestar, dhe rritja eventuale të shkaktohet vetëm nga kostoja e mallrave të shitura dhe jo nga rritja fiktive e fitimeve në kohë krize”, ka theksuar Bajra.
Edhe Banka Qendrore e Kosovës ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës do ta ndiejë krizën përmes rritjes së çmimeve.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, shkalla e inflacionit në muajin shkurt ishte 7.5 për qind.
Sipas saj, rritje të çmimeve pati kryesisht te drithërat, vajrat, energjia elektrike dhe karburantet.