Arbëri

Vendimet pa koordinim shihen si strategji e Kurtit për t’i implementuar ato, qoftë edhe me vonesë

Afatet për zbatimin e Rregullores së BQK-së janë vlerësuar si strategji e Qeverisë për t’iu bindur kërkesës së faktorit ndërkombëtar, por njëkohësisht edhe ta zbatojë Rregulloren, siç ka ndodhur në rastin e targave. Njohës të çështjeve politike thonë se nga kjo strategji Kosova po fiton në fund me zbatimin e vendimeve të saj, por po përkeqëson paraqitjen në arenën ndërkombëtare.

Pas presionit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës është zmbrapsur nga insistimi që Rregullorja e re e BQK-së për ndalimin e dinarit të nisë së zbatuari nga 1 shkurti.

Sipas një njoftimi të kryeministrit, që u pasua me 10 pika të Planit të BQK-së për zbatim të Rregullores, qytetarëve serbë që përdorin dinarin iu dhanë 3 muaj afat si periudhë tranzicioni që të kalojnë nga dinari në euro.

Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, thotë se vendimet e njëanshme të Qeverisë pa koordinim paraprak me Perëndimin janë strategji e kryeministrit Kurti që të tregojë vendosmëri në implementim, në mënyrë që faktori ndërkombëtar të mos i kërkojë shfuqizim, por vetëm shtyrje.

“Nëse Qeveria e mendon këtë strategji që njëherë e merr vendimin njëanshëm, pastaj vjen presioni ndërkombëtar që këto vendime mos me u zbatu me u shty zbatimi dhe pastaj vjen një kohë që ato vendime edhe me përkrahje të ndërkombëtarëve zbatohen, mendoj që është strategji e mirë. Sepse doli mirë me targat me gjasë mund të dalë mirë edhe me dinarin”, tha Demhasaj.

Ka disa vendime të cilat Qeveria i kishte marrë pa koordinim paraprak me ndërkombëtarët e që më pas është dashur të tërhiqet, si ajo me targat e me zgjedhjet e fundit në komunat veriore.

Por këto vendime, sipas Demhasajt, kanë dy anë të medaljes.

Kosova në fund po zbaton vendimet, por thotë se edhe po qortohet nga Perëndimi.

“Për herë të parë ndodhi që pas 24 vjetësh Kosova të marrë vërejtje nga tri shtetet e përhershme të Këshillit të Sigurimit që janë mbështetëset kryesore të zhvillimit të Kosovës, siç janë Franca, Britania dhe SHBA-ja”, tha Demhasaj.

Shumica e vendimeve të kryeministrit që kanë çuar në reagim të komunitetit ndërkombëtar kanë qenë vendime që lidhen me veriun e Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, vlerëson se kryeministri Kurti po mundohet që në këtë formë t’i hapë rrugë zbatimit më të lehtë të marrëveshjes për Asociacionin.

“Unë mendoj që vendimi i Qeverisë është më shumë strategjik për t’u pozicionuar para se të merret ndonjë vendim për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit”, tha Arifi.

Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore që përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave, duke e ndaluar përdorimin e jashtëligjshëm të dinarit serb.

Reagimet për këtë çështje që i ngriti Serbia u diskutuan edhe në një mbledhje të KS-së së OKB-së.