Një 56-vjeçar nga fshati Dobrajë i Komunës së Lipjanit ka vdekur mëngjesin e së shtunës rrugës për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës derisa në Emergjencën e Lipjanit nuk i ishin ofruar shërbime mjekësore në mungesë të pajisjeve.
Burime të KOHËS kanë thënë se derisa familjarët e pacientit po kërkonin t’i bëhej një EKG 56-vjeçarit, mjeku kujdestar në QKMF tregon se nuk funksionon kjo aparaturë. Ndërkohë, pacienti ishte nisur me urgjencë drejtë QKUK-së ndërkohë gjatë rrugës dyshohet se ka vdekur. Në një video të cilën e ka siguruar KOHA të shtunën, shihet mjeku kujdestar duke u thënë edhe pacientëve të tjerë se kjo aparaturë nuk funksionon.
“As këtu nuk është duke funksionuar. Unë nuk jam drejtor as shef, ata e kanë përgjegjësinë ta sjellin një EKG të re”, dëgjohet duke thënë mjeku kujdestar.
Ndërkohë një burim i KOHËS ka treguar se si QKMF-ja dhe Emergjenca nuk e kanë trajtuar pacientin i cili ka vdekur mëngjesin e së shtunës.
“Unë isha duke marrë një shërbim tjetër, por kur erdhi pacienti i cili kishte pasur sulm në zemër EKG-ja nuk ka funksionuar dhe mjeku ua shpjegoi të gjithë pacientëve që kishin ardhur të marrin këtë shërbim. Ndërkohë për pacientin i cili ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në QKUK, ai ishte me vetëdije dhe kërkonte shërbim. Ndërkohë edhe mua më udhëzuan të shkoi në QKUK për një shërbim tjetër dhe atje e kuptuam se pacienti nga Lipjani ka ndërruar jetë gjatë rrugës”, ka thënë ky burim i cili është i njohur për redaksinë.
Ndërkohë pas kësaj ngjarje QKMF-n dhe Emergjencën në Lipjan e kanë vizituar edhe përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan. Alban Salihu, kuvendar nga ky subjekt, nëpërmjet një postimi ka thënë se kjo ngjarje është e rëndë.
“Posa u njoftuam se në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan, ka vdekur një person nga sulmi në zemër, i cili kishte pritur mbi 1 orë pa iu ofruar ndihmë e pa u trajtuar, sepse nuk ishte asnjë mjek, kurse pajisjet nuk punonin as në ambulantë e as në emergjencë. Jemi duke mbledhur informacione për rastin dhe do të ju njoftojmë për detajet”, ka thënë Salihu.
Ai ka kërkuar nga organet e Prokurorisë të merren me këtë rast. Ndërkohë KOHA ka kontaktuar edhe me drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit Shkëlzen Hajdini, por ai nuk ka dhënë informacione rreth ngjarjes.
“Nuk jam në dijeni për këtë rast. Porsa të marrë informacione do t’ju njoftojmë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë shkurt ai.
Më vonë, ai ka thënë se “s’është e vërtetë që pacienti ka pritur një orë”.
“Pacientit ju ka dhënë shërbimi, ju ka bë EKG-ja, është përcjellë për QKUK, atje është dorëzuar pacienti i gjallë dhe atje ka ndërruar jetë. Ambulanta ka qenë në një rast urgjent në Gadime dhe në momentin që e kanë marrë informacionin ka ardhur dhe e ka përcjellë pacientin për Prishtinë”, ka thënë Hajdini.
I pyetur për videon të cilën e ka siguruar KOHA, e në të cilën vërehet mjeku kujdestar duke thënë se EKG-ja nuk është duke funksionuar, ai ka thënë se “lëto janë informacionet të cilat i ka siguruar nga shefi i Emergjencës”.
Ndërkohë KOHA ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga drejtori i QKMF-së në Lipjan Agim Krasniqi, por ai nuk është përgjigjur në telefon.
Vdiq një 56-vjeçar për shkak të mungesës së shërbimeve mjekësore në Lipjan[LAJMI I FUNDIT] Vdiq një 56-vjeçar për shkak të mungesës së shërbimeve mjekësore në Lipjan https://bit.ly/3B1UML6
Posted by Koha.net on Saturday, February 5, 2022